Prindërit braktisin tre fëmijët, i strehon spitali
PESHKOPI/ HASAN PASHA
Tre fëmijë të braktisur nga prindërit e tyre kërkojnë ndihmë për t’u strehuar dhe ushqyer në spitalin e Peshkopisë. Prindërit e tyre nga fshati Selishtë, të detyruar nga varfëria ekstreme, i kanë lënë fëmijët 4 dhe 5 vjeç dhe më të voglin 8 muajsh në oborrin e këtij spitali dhe më pas janë larguar. Drejtori i spitalit të Peshkopisë, Adrian Bitri, u shpreh dje se kanë strehuar dhe ushqyer fëmijët. Ai theksoi më tej se spitali nuk është qendër strehimi për të vobektit, por institucion ku pacientët marrin shërbimet e nevojshme. “Dje paradite, mjekët më njoftuan se tre fëmijë të vegjël qjendeshin në oborrin e spitalit dhe kërkonin ndihmën e bluzave të bardha. Spitalet funksionojnë për të sëmurët dhe kurrsesi për njerëzit që kërkojnë strehë apo janë të varfër. Ne i kemi sistemuar tre fëmijët përkohësisht në spital dhe kemi urdhëruar të mirëushqehen, por njëkohësisht kemi vënë në dijeni policinë, Bashkinë e qytetit Peshkopi dhe komunën Selishtë të marrin masa për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve që konsiderohen të braktisur”, u shpreh Bitri. Babai i tre fëmijëve të vegjël, Ahmet Pepa, është marrë në pyetje nga policia lokale për të sqaruar motivin se pse ai dhe bashkëshortja e tij kanë vepruar në këtë mënyrë, duke lënë në mëshirë të fatit fëmijët e tyre, 4, 5 vjeç dhe 8 muajsh. Pepa, sipas policisë, është justifikuar se fillimisht ishte nëna e fëmijëve ajo që kishte vendosur të largohej nga fëmijët e saj, ndërkohë më vonë edhe ai i ishte bashkuar vendimit të saj. Dje pasdite Pepa është parë pranë fëmijëve, teksa tërhiqte vëmendjen e bluzave të bardha dhe policisë duke iu pohuar se nuk kishte rrugë tjetër ku mund t’i dërgonte fëmijët. “Nuk kam asnjë të ardhur nga komuna e shteti, jam një familje shumë e varfër dhe nuk mund t’u plotësoj asnjë kërkesë këtyre fëmijëve. Disa herë jam ankuar dhe kam kërkuar ndihmë nga shoqatat, prefektura, këshilli i qarkut, por në asnjë rast nuk jam ndihmuar”, është shprehur Ahmet Pepa, i cili mbante në krah beben 8-muajshe.
Policia lokale po heton nëse prindërit duhen marrë nën përgjegjësi penale për braktisjen e fëmijëve. Dyshohet se veprimi i tyre mund të jetë ndikuar edhe nga tentativa për të tërhequr vëmendjen e publikut për të realizuar qëllimin e tyre për ndihma financiare dhe ushqimore. Aktualisht fëmijët ndodhen në ambientet e spitalit, por drejtori Bitri pohoi se ata nuk mund të mbahen për shumë kohë në këtë ambient.