E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhurmat, policia vendos orare në lokalet e plazheve

 

Etleva Delia

Ankesat e dhjetëra turistëve kryesisht në zonat e bregdetit, kanë sjellë reagimin e Policisë së Shtetit, e cila ka deklaruar se do të marrë masa për lokalet me muzikë, duke përcaktuar oraret e mbylljes. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në një deklaratë për shtyp ka bërë publike masat që do të marrin forcat e rendit për të siguruar qetësinë akustike në të gjitha plazhet dhe zonat turistike të vendit. Kjo nismë është marrë pas dhjetëra ankesave të qytetarëve dhe shqetësimet e vazhdueshme të turistëve vendas dhe të huaj, që pushojnë në plazhet e Shqipërisë, për ndotjen akustike, siç quhet ndryshe zhurma e diskove, tej normave të lejuara dhe jashtë orareve të përcaktuara. Kështu, mësohet se të gjitha drejtoritë e Policisë në Qarqe dhe Komisariatet e Policisë, që në territoret që mbulojnë ka zona turistike, do të marrin masa që nga dita e hënë deri ditën e enjte pas orës 24:00, të ndërpriten aktivitete në lokalet me muzike. , orari do të shtyhet me dy orë në fundjave, ku të shtunën dhe të dielën diskot dhe pub-et do të lejohen që të punojnë maksimalisht deri në orën 02:00. Policia e Shtetit ka lajmëruar dje se për rastet e prishjes së qetësisë publike, të parashikuara nga neni 274 i Kodit Penal, do të kryhen veprimet procedurale dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorive të Rretheve Gjyqësore përkatëse. Zhurmat e lokaleve të natës janë denoncuar herë pas here nga qytetarët dhe turistët në organet e policisë, pasi për ta janë kthyer në një shqetësim, që në gjuhën e policisë quhet ndotje akustike. Denoncimet kanë qenë të shpeshta sidomos në sezonin e verës në plazhin e Durrësit dhe Vlorës, ku banesat ndodhen mbi klubet e natës të cilat janë të shpeshta në zonën e bregdetit. Kjo pasi pronarët e bareve dhe restoranteve gjatë sezonit turistik ofrojnë argëtim me muzikë live në ambientet e tyre për të tërhequr sa më shumë turistët, si vendas ashtu edhe të huaj. Me gjithë paralajmërimet e herë pas hershme nëpër lokalet me muzikë, ato kanë vazhduar veprimtarinë e tyre të zakonshme dhe policia është detyruar që të marrë masa me anë të një urdhri. Të gjithë ata që nuk do ta zbatojnë urdhrin më të fundit të policisë, do të ndëshkohen penalisht, ashtu siç e parashikon ligji, me akuzën e prishjes së qetësisë publike. Fillimisht paralajmërimet janë dhënë në bregdetin e Jugut të vendit, ku madje u përcaktuan edhe disa orare për mbylljen e lokaleve me muzikë. Por edhe pse ditët e para sikur nisi të zbatohej orari, në vazhdim u duk sikur u harrua dhe aktivitetet e lokaleve të natës vazhduan me ritmin e përhershëm, deri në orët e para të mëngjesit. Kjo solli sërish shqetësimin e pushuesve, të cilët iu drejtuan policisë, duke e parë si mundësinë e vetme për zgjidhjen e problemit të pushimeve të tyre. I njëjti problem është shtruar për policinë edhe nga banorët e kryeqytetit, kryesisht ata që banojnë në afërsi të ish-bllokut, ku lokalet me muzikë janë të shumta. Para disa ditësh Policia Bashkiake ndërhyri për të zgjidhur problemin e banorëve, madje edhe duke hasur në kundërshtimin e pronarëve të lokaleve, si edhe të klientëve.

Gjobiten lokalet e ish-bllokut
TIRANE- Aksioni i dy ditëve më parë i Policisë Bashkiake të kryeqytetit për të ulur nivelin e zhurmave nga lokalet e natës ka përfunduar me 14 gjoba të vendosura në lokalet e ish-bllokut. Kjo masë ndëshkimore është marrë ndaj tyre, pasi kanë vazhduar muzikën edhe pas orës 23:00 të mbrëmjes, megjithëse Policia Bashkiake i kishte paralajmëruar për këtë gjë. Ndërkohë që drejtuesit e kësaj policie shprehen së nëse ky do të jetë një veprim i përsëritur nga pronarët e lokaleve nuk do të mungojnë as masat ekstreme, pra mbyllja e tyre. Ky aksion i Policisë Bashkiake ka nisur pak ditë më parë pas ankesave të shumta nga banorët e kësaj zone, për zhurmat e larta që vazhdojnë deri në orët e para të mëngjesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›