E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasuria, Rama hedh në gjyq Berishën për shpifje

 

BLEDAR HOTI

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të padisë në gjykatë Kryeministrin Sali Berisha në lidhje me akuzat për pasurinë e deklaruar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, duke i cilësuar ato si shpifje. Një gjë të tillë e bëri publike anëtarja e Asamblesë së PS-së, Elisa Spiropali, në konferencën e djeshme për shtyp, ku sipas saj kryeministri ka fshehur pasuri në deklarimet e bëra pranë ILDK-së. “Sali Berisha flet për Shqipërinë dhe pasuron vetëm familjen e tij, e cila sot e ka kapur shtetin si asnjëherë më keq. Ndërsa akuzat për të ashtuquajturat pasuri të Edi Ramës do t’i shkojnë gjykatës, duke e ftuar Sali Berishën të paraqesë provat”, tha Spiropali. Ajo i ka cilësuar si shpifje akuzat e bëra nga drejtuesit e lartë të PD-së në adresë të kreut të PS-së. “Turp dhe trishtim njëkohësisht, që Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe PD, u duhet të shpifin kaq shumë për të mbuluar diellin me shosh! Deklarimet e pasurisë familjare të Sali Berishës janë marramendëse dhe pas tyre fshihen pasuri të padeklaruara edhe më marramendëse, para të zeza me të cilat u ble shumë varfëri fshatrave edhe më 28 qershor, dhe të cilat janë ogurzeza për demokracinë”, theksoi Spiropali. Disa ditë më parë, deklaratat e publikuara në media të politikanëve u bënë objekt i debateve dhe akuzave të ndërsjellta ndërmjet partive politike. Kreu i PS-së, Edi Rama, në deklaratën e tij mbi pasurinë, figuronte si zyrtari më i varfër. Nga deklarimi i pasurisë, kreu i Bashkisë së Tiranës rezulton të ketë një llogari me 40 mijë lekë të reja në Bankën Credins, të përfituar nga kursimet nga paga si dhe një llogari tjetër me 2937 euro, po në këtë bankë, të përfituar nga çmime dhe honorare. Kreu i socialistëve ka pasur të ardhura gjatë vitit të kaluar 1.8 milion lekë të reja, falë pagës në krye të bashkisë, shpërblimit të fundvitit, si dhe pagesa për pjesëmarrjen në mbledhjet e KRT-së. Në të njëjtën kohë, Rama gjatë vitit 2008 ka paguar 207 mijë lekë lekë (principal + interes) për shlyerje kredie. Nga deklarimi i pasurisë rezulton se Ramës i ka ngelur edhe 1.2 milion lekë për ta shlyer. Pikërisht kjo ka shërbyer që ndërmjet dy partive të ketë akuza mbi deklaratat e pasurive e depozituara pranë ILDKP-së, si të Kryeministrit, por edhe të liderit të PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›