E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në familje, 50-vjeçari vret vëllanë nga varfëria

 

Etleva Delia

Një grindje e momentit në një familje kryeqytetase disa ditë më parë ka ndezur një konflikt mes dy vëllezërve njëri prej të cilëve ka vdekur si pasojë e goditjes në kokë dhe tjetri ka përfunduar në qeli. Pas një zënke të momentit, që ka marrë shkas nga kursimi i energjisë elektrike, vëllai ka vrarë aksidentalisht vëllain e tij më të madh. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:30, në lagjen “Varri i Bamit” në Tiranë. Mbrëmjen e dy ditëve më parë ka përfunduar në prangat e policisë 50-vjeçari Ahmet Vathi, me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje, ndërsa vëllai i tij, Zyrdi Vathi, 52 vjeç, ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm në Spitalin Ushtarak, si rezultat i plagëve të rënda në pjesën e pasme të kokës. Sipas mjekëve përplasja me dyshemenë ka qenë mjaft e fortë dhe ka sjellë goditje në tru, çka ka shkaktuar edhe vdekjen e babait të dy djemve. Burime nga policia thanë për gazetën “Panorama” se vëllezërit Ahmet dhe Zyrdi Vathi, me origjinë nga Kavaja, jetoni bashkë prej rreth 40 vitesh, në një apartament, dhomë e kuzhinë, në katin e katërt të një pallati. Gjithashtu, burimet shtuan se ata ishin në gjendje të vështirë ekonomike, pasi në një hapësirë mjaft të vogël jetonin dy familje me nga 4 pjesëtar secila. Ky ka qenë edhe motivi i ngjarjes, pasi vështirësitë ekonomike me të cilat përballen familjet Vathi, sillnin edhe debate të ashpra mes kryefamiljarëve herë pas here. I plagosuri, Zyrdi Vathi, 52 vjeç, ka qëndruar në spital në gjendje kome 3 ditë rresht dhe ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm. Sipas policisë, vëllezërit Ahmet Vathi dhe Zyrdi Vathi janë protagonistët e këtij krimi brenda familjes. Nga të dhënat hetimore mësohet se ata janë të dy të martuar, kanë nga dy djem të rritur secili dhe jetojnë në të njëjtin apartament, vetëm në një dhomë dhe një kuzhinë. Ky fakt ka sjellë disa herë konflikte mes tyre, por ai i së dielës ka qenë fatal. Rreth orës 20:00, policia e kryeqytetit është njoftuar se në rrugën “Qemal Stafa”, në apartamentin e katit të katërt të një pallati, ka ndodhur një plagosje e rëndë. Menjëherë pas sinjalizimit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit numër 4, të cilat janë përforcuar edhe nga ato të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Në vendin e ngjarjes, policia është vënë në dijeni se Zyrdi Vathi, 52 vjeç, është plagosur rëndë përplasjes së fortë në dysheme nga vëllai i tij, Ahmet Vathi 50 vjeç, i cili sapo e ka dërguar në spital është larguar nga vendi i ngjarjes. Menjëherë është bërë shpallja në kërkim e tij dhe dy ditë më parë është mundësuar arrestimi i tij. Ndërsa i plagosuri nuk ka mundur të kalojë komën, duke ndërruar jetë disa orë pas arrestimit të së vëllait.

“Ishte aksident, jetonin në vështirësi ekonomike”

TIRANE - Dëshmitari i ngjarjes dhe njëkohësisht fqinji i dy vëllezërve Vathi, Fatbardh Çeliku, tregon se si ka ndodhur ngjarja dhe arsyet krimit që sipas tij ishte aksidental. Ai tregon momentet kur bashke me autorin e ngjarjes, Ahmet Vathin, e kanë dërguar vëllain e plagosur në spital në gjendje mjaft kritike për jetën. “Sapo kishte nisur të errësohej, unë isha në oborrin e pallatit bashkë me Ahmet Vathin dhe u ndava nga ai, pasi unë do shkoja në farmaci dhe ai do ngjitej tek shtëpia e tij në katin e katërt të pallatit. Por u ktheva nga rruga, sepse dëgjova të bërtitura që vinin nga pallati im dhe shkova për të parë se çfarë kishte ndodhur”. Kështu ka nisur rrëfimin e tij dëshmitari i ngjarjes së rëndë Fatbardh Çeliku. “Fillimisht më thanë që kishte zënë dikë korrenti dhe shkova që ta ndihmoja, më pas kur u futa në shtëpinë e vëllezërve Vathi, pashë Zyrdiun të shtrirë në dysheme dhe të gjakosur”, ka treguar dëshmitari. Sipas tij, vëllai i të plagosurit, nuk kishte dhënë asnjë lloj shpjegimi se çfarë kishte ndodhur, vetëm kishte kërkuar ndihmë dhe pasi e kanë dërguar në spital është larguar dhe nuk është parë më në lagje, deri sa është arrestuar. Më pas Çeliku ka treguar edhe për kushtet e vështira ekonomike të dy vëllezërve Vathi, të cilët jetonin në një apartament me një dhomë dhe një kuzhinë dhe secili kishte nga dy fëmijë të rritur. Papunësia dhe varfëria kishte sjellë herë pas herë konflikte në atë familje, ndërsa konflikti i fundit ishte tragjik për të dy vëllezërit. “Gjithçka ka ndodhur aksidentalisht. Njëri ka ndezur dritën, tjetri e ka fikur dhe kështu ka nisur debati që më pas Ahmeti ka përplasur në tokë Zyrdiun, i cili ndërroi jetë”, ka treguar fqinji i familjes Vathi.                                 e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›