E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbytet 13-vjeçari në Osum, 4 pushues u rrezikuan

 

BERAT/ FIER - Një fëmijë 13 vjeç u mbyt dje në lumin e Osumit, ndërsa katër të tjerë rrezikuan jetën në plazhin e Semanit dhe Darëzezës në Fier. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 në vendin e quajtur “Ura e re” në Berat. Mësohet se fëmija, L. Goga kishte shkuar me shokët e tij për t’u freskuar në lumë. Por teksa laheshin në një vend të cekët, ai është futur në një zonë ku kishte thellësi. Ai u kërkoi ndihmë shokëve, por ata nuk mundën ta nxjerrin nga uji. Po paraditen e djeshme në Seman një fëmijë 5 vjeç nga fshati Ruzhdie i Fierit rrezikoi të mbytej. Dallgët e kanë rrëmbyer vogëlushin pak metra larg bregut. Fatmirësisht, plazhistët e kanë vënë re në kohë dhe ndërhynë duke e nxjerrë nga uji. Një tjetër ngjarje ndodhi në Seman, rreth orës 11:00, kur u rrezikua nga mbytja një 16-vjeçare. A.Y., nga Ballshi, kishte përshkuar me not një distancë të largët kur papritur është gjendur e vetme në mes të dallgëve. Babai i saj, Pirro Yzeiri, u shpreh se pas shumë përpjekjesh, me ndihmën edhe të plazhistëve të tjerë, kishin arritur ta nxirrnin nga deti. Në plazhin e Darëzezës në Fier dje për pak u mbyt edhe një 69-vjeçar. Ai është ndjerë krejt papritur keq në det. Një çift që është ndodhur afër e ka ndihmuar të moshuarin, të cilit i kishin filluar problemet me zemrën. Ndërsa rreth orës 15:00, në Seman, dy 15-vjeçarë, kishin shkuar larg me varkë në det kur ajo kishte pësuar çarje. Njëri prej tyre, Sh. Zekaj ra në ujë dhe nuk dinte not, por shoku i tij e kishte ndihmuar të ngjitej te pjesa e mbetur e varkës.                 d.xh/m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›