Dodik anulon referendumin
Liderishipi i Republiak Srpska (RS) ka vendosur të anulojë referendumin, organizimi i të cilit kishte nxitur krizë politike në Bosnje e Hercegovinë (BeH).
Pas takimit me shefen e Diplomacisë së BE’së, Catherine Ashton, në Banjallukë, lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, ka njoftuar gazetarët për vendimin e anulimit të referendumit.
Sipas Dodik, ai do t’i bëjë thirrje parlamentit të RS që të anulojë votimin, pas marrjes së garancive nga Ashton se Be do të trajtojë edhe shqetësimet e serbëve për sistemin juridik të BeH.
Vizita e befasuese e Ashton në Banjallukë u bë në kohën kur ekziston një çarje ndërmjet lidershipit të RS dhe përfaqësuesit të lartë të BE’së, Valentin Inzko.
Ndryshe, pyetja e referendumit të planifikuar për qershor do ishte nëse qytetarët e RS i përkrahin institucionet qendrore të BeH që kanë për detyrë trajtimin e krimeve të luftës, krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pyetja tjetër do të ishte nëse banorët e RS e përkrahin fuqinë e përfaqësuesit të lartë që të imponojë ligje dhe të shkarkojë zyrtarë të RS.