Dogana- biznesit: Regjistrohuni në sistemin EORI për të lehtësuar zhdoganimin
Me qëllim për një procedurë më të lehtë zhdoganimi, për të parandaluar bllokimin e deklaratës doganore si dhe për të ndihmuar operatorët ekonomikë në një sërë procesesh të tjera që kanë lidhje me veprimtarinë doganore në BE, bizneset janë të detyruar të regjistrohen në sistemin EORI. Bazuar në nismën e Komisionit Europian dhe në përputhje me angazhimin e qeverisë shqiptare për përmbushjen e standardeve europiane, operatorët ekonomikë janë të detyruar të pajisen me një numër EORI përpara se të angazhohen në aktivitet import-eksporti në Bashkimin Europian. Sipas doganave, numri EORI (Regjistrimi i Operatoreve Ekonomike dhe Numri i Identifikimit) është një numër unik në Bashkimin Europian, i dhënë nga një nga Autoritetet e Shteteve Anëtare te BE-së, me qëllim kryerjen e aktivitetit të import-eksportit në BE. Në këtë kontekst, për t’u pajisur me një numër EORI, operatorët ekonomikë shqiptarë duhen t’i paraqesin një kërkesë të vetme autoritetit kompetent të shtetit anëtar ku operatori kryen aktivitet import-eksporti, dhe në vijim ky numër njihet dhe pranohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.