Luc Coen: Kolapsi i eurozonës, fantazi e plotë
Fantazi të plotë, e ka cilësuar idenë e shumë euroskeptikëve se eurozona do të bjerë në kolaps të plotë, një prej politikbërësve më të rëndësishëm të Bakës Qendrore Europiane, Luc Coen. Ideja se Eurozona, e tronditur nga kriza e borxheve do të bjerë në kolaps, nuk pranohet prej tij. Dhe Coen jep garanci të plotë për mos rënien e Eurozonës. Në të përditshmen “La libre Belgique” ai ka theksuar se, edhe nëse Greqia do të braktisë monedhën Euro, BE duhet të qëndrojë e bashkuar për të mbrojtur sistemin e saj ekonomik dhe financiar. “Nëse grekët vendosin të largohen nga Eurozona, diçka që për mua është krejtësisht e papërfytyrueshme, Europa duhet të qëndrojë krah për krah, në mbrojtje të sistemit”, tha Coen për gazetën belge “La Libre Belgique”. Në këtë mënyrë, Coen i është përgjigjur njërit prej drejtuesve të FMN-së, Olivier Blanshar, i cili, duke folur për “CNBC”, tha se bankat e ekspozuara ndaj borxhit grek, janë të rrezikuara ndaj uljeve të mëtejshme. Sipas Blanshar, shifrat në Greqi nuk janë optimiste dhe duhen ndërmarrë shkurtime të mëtejshme për t’i lejuar frymëmarrje ekonomisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar e konsideron të pamjaftueshëm programin e rregullimit fiskal dhe thekson se mund të jenë të nevojshme lëvizje të reja, për të shmangur falimentimin e shtetit helen.