E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Dalja e Greqisë dhe Italisë nga eurozona, përfitojnë importuesit shqiptarë

SHKRUAN: Sabina Veizaj 09-01-2012 18:12

Rikthimi i mundshëm kah monedhave të tyre respektive të Italisë dhe Greqisë, nuk do të kishte efekte negative për ekonominë shqiptare. Përkundrazi, importuesit shqiptarë do të përfitonin import me çmime më të lira për produktet. Ekspertët e ekonomisë shqiptare gjykojnë se Bashkimi Europian do të bëjë të pamundurën për t’i mbajtur këto dy vende në eurozonë, por edhe në rast se ato do të dalin, kjo nuk do të përbëjë problem për ekonominë shqiptare.

Të bësh tregti duke blerë produkte dhe mallra në euro, është e njëjta gjë si t’i blesh të njëjtat mallra e produkte në dollarë, dhrahmi apo lireta. Fakti që ekonomistët dhe politikanët euroskeptikë grekë dhe italianë po diskutojnë për rikthimin e mundshëm të monedhave respektove, dhrahmisë dhe liretës, përveç efektit psikologjik të krizës aktuale, nuk do të kishte asnjë efekt negativ për vendin tonë, duke u nisur nga marrëdhëniet tregtare me këto dy vende. Përkundrazi, ekspertët shqiptarë të fushës së ekonomisë gjykojnë për efekte pozitive përfituese në këtë drejtim. Por, në të njëjtën kohë ata e shohin me skepticizëm daljen e Italisë dhe Greqisë nga eurozona, duke u shprehur se Bashkimi Europian do të bëjë të pamundurën për t’i mbajtur këto dy vende në gjirin e vet. “Nuk mendoj se Italia do të dalë nga zona euro. Ka një situatë shumë të ndryshme nga Greqia, si për nga disiplina financiare, mënyra e qeverisjes dhe rekuperimi i krizës. Edhe po të merrnim si të mirëqenë daljen e këtyre dy vendeve nga eurozona, efektet do të ishin psikologjike, pasoja psikologjike të paqëndrueshmërisë. Efekti praktik do të ndihej i segmentarizuar; si papunësia e emigrantëve tanë në këto dy vende, humbjet e tregjeve. Por ky ndryshim nuk do të ndikojë në marrëdhëniet tona tregtare me këto dy vende, pasi tregtarët tanë ashtu siç operojnë me vendet ku përdoret dollari dhe euro, ashtu do të operojnë me dhrahminë dhe liretën ”- u shpreh për gazetën MAPO eksperti i ekonomisë, njëkohësisht deputet demokrat, Sherefedin Shehu. Por eksperti i ekonomisë, Artan Gjergji, e thellon më shumë analizën në fjalë, duke theksuar se rikthimi i Italisë dhe Greqisë në monedhat kombëtare do të ketë efekte pozitive për vendet që importojnë nga këto dy shtete dhe sigurisht për Shqipërinë. “Në fakt, unë besoj se as Greqia, as Italia nuk do të dalin nga Euro. BE po bën të pamundurën që t’i mbajë brenda zonës euro këto dy vende duke alokuar fonde përmes programeve të ndryshme. Edhe sikur Greqia të vendosë të dalë nga eurozona, sepse Italia ka më shumë kapacitete rikuperuese dhe nuk bëhet fjalë për të që t’i largohet zonës euro, nuk do të ketë efekte negative në ekonominë shqiptare. Në të kundërt, sikur këto dy vende t’i rikthehen monedhave të tyre respektive, në lidhje me Shqipërinë nuk ka efekt. Çështja nuk ka lidhje me monedhën. Aspekti i keq është kursi i këmbimit, sepse shtohen kostot e transaksionit, por edhe ato janë të papërfillshme. Ndërsa për ekonomitë e këtyre dy vendeve do jetë më mirë, pasi monedha e vendit është më fleksibël në politikat monetare dhe Banka Qendrore e vlerëson më shumë monedhën kombëtare. Mbi të gjitha, eksportet më të lira dhe si rrjedhojë importuesit tanë më me përfitim, sepse do të tërhiqen nga çmimet e ulura të produkteve dhe mallrave.”- u shpreh eksperti Artan Gjergji për MAPO-n. Duke menduar për ekonominë e vendit të tij, eksperti italian Nouriel Roubini në ‘Financial Times’ ka deklaruar se dalja nga eurozona është mundësia e vetme e shpëtimit për Italinë. "Italia mund t’i ketë ditët të numëruara në eurozonë "- ka cituar ai në ‘Financial Times’, duke argumentuar se me një borxh publik 120% të PBB-së, Italisë i duhet një ndihmë prej 5% e PBB-së për të evituar shpërthimin e borxhit. Por me një rritje zero, kriza italiane mund të përkeqësohet. Ndërsa për ekonomisten italiane Loretta Napoleoni, duhet një dalje progresive nga euro. Nëqoftëse BE-ja nuk do arrijë t’i shpëtojë dot këto dy vende, apo ato të zgjedhin të dalin nga eurozona për të qeverisur në mënyrë sovrane monedhën e tyre, nuk do të ketë asnjë efekt negativ për ekonomitë e vendeve fqinje. Pasi dalja nga eurozona presupozohet për vetë vendet si shpëtim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›