Dogana, 1 miliardë USD arkëtime
Administrata Doganore Shqiptare vazhdon të realizojë planin e arkëtimeve, edhe pse niveli i taksave doganore reduktohet çdo vit. Teksa pritej një punë më e mirë nga administrata tatimore, doganat në çdo muaj të vitit mjaftohen me një tejkalim plani mbi 2 për qind. Kështu të dhënat e fundit flasin për një nivel arkëtimi në total për 11-mujorin në rreth 1 miliard dollarë, me një rritje prej 0.1 përqindësh. Krahasuar me realizimin faktik të të ardhurave për të njëjtën periudhë të një viti më parë (janar - nëntor 2007) rritja është 14 për qind ose rreth 115 milionë dollarë më shumë. Ndërkaq, zhdoganimi i mallrave të akcizës ka vijuar me rritje në disa zëra. Konkretisht, artikulli cigare gjatë periudhës janar-nëntor 2008, ka pasur një volum zhdoganimi me një rritje prej rreth 19 përqindësh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kështu janë zhdoganuar 3.720 tonë cigare krahasuar me 3.126 tonë të zhdoganuara gjatë 2007-ës. Karburantet kanë pasur rritje të lehtë zhdoganimi, me rreth 3 për qind. Doganat raportojnë se janë zhdoganuar 384.925 tonë karburante nga 374.325 tonë të regjistruara në vitin e kaluar. Po ashtu kafeja rezultoi me rritje në masën 4 për qind, ndërsa birra janë zhdoganuar 30.819 hektolitra ose 11 për qind më shumë. Doganat kanë raportuar edhe nivelin e tregtisë së jashtme për 11-mujorin 2008. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme, është realizuar një rritje prej 17 përqindësh e volumit në total të eksporteve shqiptare e shprehur në vlerë, ndërsa eksportet me origjinë shqiptare (Made in Albania) kanë një rritje prej 39 përqindësh. Gjatë 11-mujorit 2008, janë realizuar një volum mallrash të shprehur në sasi prej 1.631.665 tonësh krahasuar me 1.574.642 tonë mallra që janë eksportuar gjatë 11-mujorit 2007, me një rritje prej 4 për qind. Sa i takon importeve, volumi i tyre vlerësohet në rreth 4.2 miliardë dollarë nga 3.6 miliardë të realizuara gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar me një rritje prej 520 milionë dollarësh, ose 15 për qind më shumë.