E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama, e vetme kundër PD-PS

Demokratët dhe socialistët gjejnë gjuhën e përbashkët në Komisionin e Ligjeve, duke votuar me unanimitet Ligjin e Prokurorisë. Dy kampet më të mëdha politike në Parlament duket se po përjetojnë kohët më të arta të bashkëpunimit politik në këtë fundvit. Anëtarët e PD-së dhe PS-së "shpërfillën" pretendimet e Kryeprokurores Ina Rama për dy nene që sipas saj cenojnë pavarësinë e organit të akuzës, duke dhënë konsensusin për kalimin e ligjit të shumë debatuar. Nga ana tjetër, ndëraa Kryeprokurorja Ina Rama kundërshtoi ligjin për Prokurorinë, PS jep konsensusin, duke kaluar për miratim ditën e hënë draftin për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Ligji i Prokurorisë do të votohet në të njëjtën ditë me Kodin Elektoral. Seanca maratonë do të mbahet të hënën dhe do të jetë e fundit për këtë vit.

Qëndrimi i PS-së

Opozita ka dhënë dje konsensusin për projektligjin, megjithëse sipas konceptit të saj, reforma në drejtësi duhet të jetë më e thellë. Deputeti socialist Fatmir Xhafaj deklaroi se janë tri argumente se pse opozita mbështet draftin. "Ky ligj është në përputhje me Kushtetutën, ka marrë miratimin e institucioneve ndërkombëtare që asistojnë reformën në drejtësi dhe është në pajtim me Rregulloren e Kuvendit", u shpreh Xhafa. Sipas tij, reforma në drejtësi duhet të përfshijë edhe Prokurorinë. Opozita cilëson se projektligji ka një reflektim të drejtë të rekomandimeve të OPDAT-it dhe Eralius. "Vlerësoj në tërësi projektligjin dhe shprehim mbështetjen tonë për të, pasi sjell përmirësime në organizimin e institucionit të Prokurorisë", theksoi Xhafaj. Deputeti socialist theksoi gjithashtu se ky ligj nuk e reformon në tërësi institucionin e prokurorisë. Sipas tij, ky institucion ka nevojë për një reformë më të thellë dhe më konkrete. "Në të ardhmen, mendoj se duhet të shikohet mundësia e ridimensionimit të rolit të Këshillit të Prokurorisë, në mënyrë që të mos jetë vetëm këshillimor", tha ai.

Qëndrimi i PD

Demokratët dëgjojnë një nga tri ankesat e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, për ligjin e prokurorisë.

Anëtarët demokratë e socialistë të Komisionit të Ligjeve janë tërhequr vetëm te një pikë e këtij drafti, që lidhet me rekomandimin e ministrit të Drejtësisë për të proceduar penalisht një prokuror. Kjo ishte e vetmja pikë që u mor parasysh nga Komisioni i Ligjeve, i cili qartësoi kompetencën e ministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm për nisjen e procedimit penal, duke i lënë pavarësi kreut të organit të akuzës në marrjen e vendimit. Ndërsa heqja e imunitetit të prokurorëve mbeti në ligj si një kërkesë e përkrahur edhe nga ekspertët ndërkombëtarë, pavarësisht këmbënguljes së Prokurorisë së Përgjithshme për ta mbajtur në fuqi.

Zëvendësprokurori

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, propozon idenë e krijimit të postit të zëvendësprokurorit të përgjithshëm. Ai theksoi se për këtë çështje ka pasur zëra pro dhe kundër. "Në Kushtetutë është parashikuar që drejtuesi i vetëm i institucionit është Prokurori i Përgjithshëm dhe nuk parashikon askënd që ta eklipsojë figurën e tij". Ministri Alibeaj bëri me dije se ligji i jep të drejtë Prokurorit të Përgjithshëm që të përcaktojë një drejtues të zyrës së tij për një çështje të caktuar dhe t‘i kalojë atij kompetencat e veta.

Patozi

PD-PS, vullnet për integrimin e vendit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, rikonfirmon konsensusin PD-PS për Kodin Elektoral dhe ligjin e Prokurorisë. Numri një i grupit parlamentar demokrat, sqaroi se pas miratimit të kodit, nuk ka më asnjë pengesë për të finalizuar reformën zgjedhore. Patozi shtoi se "mazhoranca dhe opozita po dëshmojnë vullnetin e qëndrueshëm për të përmbushur detyrimet e përbashkëta në të mirë të procesit të pandalshëm të integrimit të vendit". Gjithashtu, nënkryetari i PD-së përshëndeti edhe miratimin në Komisionin e Ligjeve të draftit për prokurorinë, i cili pritet të kalojë në Kuvend, në seancën e 29 dhjetorit.

Projektligji

Sugjerimet e Euralius dhe OPDAT

Euralius dhe OPDAT bien dakord me formulimet e propozuara nga Ministria e Drejtësisë, që i lejon asaj të dërgojë në Kuvend raporte të shkruara me përfundimet e përgjithshme të inspektimeve dhe i lejon Prokurorisë së Përgjithshme të përgjigjet. "Ne e vlerësojmë grupin e punës për punën e bërë në tetë muajt e shkuar dhe vlerësojmë gjithashtu se ligjit i janë bërë mjaft përmirësime", thuhet në sugjerimet e OPDAT. Këtu theksohet se, duke qenë se zëvendësi do të zgjidhet nga radhët e prokurorëve të emëruar tashmë në Prokurorinë e Përgjithshme, Kryeprokurorja duhet ta zgjedhë atë pa pasur nevojë për miratimin e mëtejshëm nga Presidenti apo ndonjë organi tjetër. Kjo sipas OPDAT do të sqarojë se i vetmi qëllim i zëvendësit është të ndihmojë Prokurorin e Përgjithshëm në ushtrimin e detyrave të tij.

Ina Rama: Jemi kundër për imunitetin dhe raportimin para ministrit

"Pa imunitet, të gjithë ne do të jemi në gjendje arresti"

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kundërshtoi në Komisionin Parlamentar të Ligjeve projektligjin për prokurorinë.

Kryeprokurorja është shprehur veçanërisht kundër dy neneve të projektligjit, nenin 17 dhe 28. Në nenin 17 parashikohet shkarkimi i prokurorit, i cili e ankimon kërkesën e tij vetëm në Gjykatën e Apelit. Nëse parashikohet shkarkim i prokurorit, pavarësisht nëse ka argumente ligjore apo jo, prokurori nuk mund të kthehet më në detyrë. Neni 28 i ligjit, raporti për Prokurorinë i bërë nga Ministria e Drejtësisë, e paraqet këtë raport jo vetëm para Presidentit apo Kryeprokurorit, por edhe Kuvendit të Shqipërisë. "Zbatimi i këtij projektligji vendos organin e akuzës në kontroll të qeverisë", u shpreh Kryeprokurorja. Duke iu referuar nenit 28, sipas prokurorëve raporti në Kuvend i lë të hapura të gjitha mundësitë që me ligjin e ri të ngrihet Komisioni Kuvendor, i cili sipas kontrollit të ministrit të Drejtësisë, të mund të shkarkojë edhe Prokurorin e Përgjithshëm.

Kryeprokurorja shprehu rezerva dhe për nenin për imunitetin e prokurorëve. Projektligji, që sipas të gjitha gjasave miratohet brenda ditëve të fundit të këtij viti, sa i përket Ina Ramës, prek edhe imunitetin e prokurorëve, duke mos i mbrojtur ata nga procesi penal.

Sipas përfaqësuesve të organit qendror të akuzës, një nen i tillë është vetëm derivat i dy ndryshimeve të para, të cilat jo vetëm lënë të pambrojtur prokurorët, por mbi të gjitha dobësojnë ndjeshëm pavarësinë e Prokurorisë së Përgjithshme. "Mendoj se është e panevojshëm shfuqizimi i nenit 36 që lidhet me imunitetin e prokurorëve", u shpreh Rama. Duke i bërë një paralelizëm imunitetit të prokurorit dhe imunitetit të deputetit, shefja e organit të akuzës u shpreh se "ky nuk është imunitet i ngjashëm me atë të deputetëve, por është vetëm mbrojtje nga procedimi penal. Mendoj se shfuqizimi i këtij neni do të japë impakt negativ, pasi i nxjerr prokurorët përballë abuzivitetit të rrugës ku janë në krye të detyrës. Në rast se shfuqizohet ky nen, do të kemi një gjendje arresti për prokurorët, e cila edhe nëse ndreqet nga Prokurori i Përgjithshëm, do të bëhej publike dhe do të sillte një imazh negativ në opinionin publik". Për sa i përket raportit që ministri i Drejtësisë do të mbajë në Kuvend, kërkoi sqarime se për çfarë do të vlejë raportimi në Kuvend i konkluzioneve të ministrit. "Në rast se dilet me dy raporte, Kuvendit i duhet të votojë vetëm njërin dhe mendoj se Parlamenti do të miratojë raportin e paraqitur nga ministri i Drejtësisë. Ky nen është një vegël që kërkon të vërë Prokurorin e Përgjithshëm në mes të një debati politik dhe publik, ku ky institucion do të gjendet nën presionin e qeverisë", u shpreh Kryeprokurorja Rama. Sipas saj, një tjetër arsye pse organi i akuzës është kundër këtij neni, është se raportimi në Kuvend i ministrit të Drejtësisë do të bëjë publike disa hetime që janë sekrete dhe do të cenojë sekretin e hetimit të procedimeve penale të ndryshme që mund të rihapen në të ardhmen.

Sollaku: Ligji i prokurorisë, nuk e

Cenon pavarësinë e organit të akuzës

Tashmë thjesht avokat, ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, nga studioja e tij ligjore në kryeqytet, jep komentet e tij lidhur me draftligjin më të debatuar në radhët e politikës, por dhe të prokurorëve, projektligjin për prokurorinë.

Njohës i mirë i funksionimit të prokurorisë si drejtues i tij që nga viti 2001 deri në 2007-ën, Theodhori Sollaku, për "Top Channel", vlerëson se drafti final i qeverisë ka shumë ndryshime nga varianti i paraqitur disa javë dhe se ai i ka reflektuar vërejtjet e misioneve ndërkombëtare që asistojnë Prokurorinë dhe Ministrinë e Drejtësisë.

"Presioni ndaj Prokurorit të Përgjithshëm për pezullimin e tij nga detyra është hequr. Ligji është i standardeve evropiane dhe nuk mund të thuash se qeveria vendos nën thundrën e saj prokurorinë", u shpreh Sollaku. Ish-prokurori i Përgjithshëm i shkarkuar nga Kuvendi i Shqipërisë me votat e mazhorancës së sotme, dy herë, i mbrojtur herën e parë nga ish-presidenti Moisiu, që nuk e dekretoi shkarkimin dhe i shkarkuar herën e dytë pas insistimit të mazhorancës, nga Presidentit Topi, jep dhe një vlerësim tjetër për nenin e shumëdiskutuar, atë të raportimit në Kuvend nga ministri i Drejtësisë për Prokurorinë. "Por mendoj se nuk ka asnjë mënyrë për të cenuar apo kërcënuar prokurorinë, pasi ju e dini tashmë që Kuvendi nuk mund të merret me çështje të caktuara" u shpreh Sollaku. Ish-kryeprokurori Sollaku jep një vlerësim dhe për nenin 36 të ligjit në fuqi, që është hequr në draftin aktual dhe që komentohet si heqja e imunitetit të prokurorit dhe thotë se ajo që quhet imuniteti i prokurorit është mbrojtja e prokurorit nga prokurori dhe që sipas tij është nonsens. Kjo dispozitë, sipas tij, nuk i jep mbrojtje të veçantë prokurorit nga qytetari i thjeshtë dhe se këtë moment e zgjidh Kodi i Procedurës Penale. "Dispozita parashikon dy momente, momenti i flagrantës, ku edhe në ligjin aktual, nëse prokurori kapet në kryerje e sipër të një krimi, policia edhe mund ta arrestojë, por është e detyruar të njoftojë menjëherë Prokurorin e Përgjithshëm. Kjo vlen edhe për qytetarët. Edhe kur policia arreston një qytetar në flagrancë të një krimi, ajo është e detyruar të njoftojë prokurorin. Po kështu, kjo dispozitë bën fjalë edhe për raste kur s‘ka flagrancë, që thuhet se prokurori nuk mund të ndalohet pa urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm. Por edhe kur nuk ka flagrancë, policia nuk mund të ndalojë dhe arrestojë asnjë shtetas shqiptar pa marrë miratimin e prokurorit", u shpreh ai. Sipas Sollakut, heqja e kësaj dispozite do t‘i bëjë prokurorët më të përgjegjshëm.

Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, ish-prokurori i Përgjithshëm, që pason një sërë prokurorësh në vend që nga viti 1991, të shkarkuar për arsye pothuajse politike, nënvizon se në Shqipëri nuk e ka fajin ligji, por vullneti i mazhorancave politike për ta deformuar atë gjatë zbatimit ose më keq akoma për ta shkelur atë dhe frika e moszbatimit të ligjit nuk duhet të kthehet në argument kundër ligjit. "Natyrisht, nuk është faji i ligjit, çka ka ndodhur deri më sot, por është fakti sesa e maturuar është klasa politike. Historia e prokurorëve në Shqipëri tregon se faji nuk ka qenë i Kushtetutës, por i atyre që janë veshur në petkun e politikanit dhe deputetit dhe që formojnë mazhoranca të caktuara", theksoi Sollaku.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›