E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat: Biznesi na ka borxh 9.5 miliardë lekë



Borxhi që biznesi i ka administratës doganore është i lartë. Ai ende vazhdon të mbetet shqetësim për doganat. Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, bëri publik dje në analizën vjetore të administratës doganore vlerën e borxhit të biznesit.

Dervishi tha se borxhi progresiv që biznesi i ka si detyrim doganor arrin në 9.5 miliardë lekë. Sipas kreut të Doganave, janë rreth 1007 biznese që kanë detyrime ndaj administratës doganore, por rreth 70% e tyre do të mund të përfitojnë nga akti ligjor për faljen e detyrimeve pak muaj më parë nga qeveria. Duke e vlerësuar si një ndër sfidat e administratës doganore për vitin 2009, Dervishi tha: “Janë rreth 8.5 miliardë lekë të trashëguara, ndërsa 1.5 miliard lekë është borxh i shtuar. Dervishi tha dje se të ardhurat doganore gjatë vitit 2008, shënuan një rritje prej 13%, krahasuar me vitin 2007, duke arritur në 104, 986 miliardë lekë”. I pranishëm në këtë analizë pune ishte edhe Zëvendësministri i Financave, Florion Mima, i cili duke vlerësuar punën e bërë në mbledhjen e të ardhurave, tërhoqi vëmendjen në disa prej misioneve që ka kjo administratë. "Do të doja t'i kishit kushtuar vëmendje më të madhe objektivave që kanë të bëjnë me procedurat doganore, duke i thjeshtuar më tepër ato, duke lehtësuar në këtë mënyrë tregtinë e ligjshme dhe ulur kohën e zhdoganimit të mallrave", - deklaroi Mima. Administrata doganore në vitin 2008 ka mbledhur rreth 104, 986 miliardë lekë në buxhetin e shtetit, nga 93,063 miliardë lekë që u arkëtuan një vit më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›