E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Do të ulen interesat për kreditë në lekë

29/01/2009  Banka e Shqipërisë vendos të ulë normën e interesit në 5,75 për qind

Një ulje të interesave për kreditë në lekë. Ky duhet të jetë ndikimi që do të ketë ulja e normës së interesit bazë për monedhën kombëtare nga Banka e Shqipërisë. Në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës është marrë vendimi për uljen me 0.5 pikë për qind, duke e çuar normën në 5,75 për qind. Banka e Shqipërisë mbajti nivelin prej 6,25 për qind për një kohë shumë të gjatë, që prej fundit të 2007-s, ndërsa pritet që ky vendim t`i japë më shumë frymëmarrje ekonomisë shqiptare.

Reagimi

Vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi se ky vendim do të ketë ndikim pozitiv. “Vendimi do të ulë koston e huamarrjes së bankave. Banka e Shqipërisë vlerëson se nëpërmjet tij, krijohen premisat për një reagim pozitiv nga ana e sistemit bankar, në drejtim të uljes së përqindjeve të interesit në lekë për kreditimin e ekonomisë”, - theksoi Ardian Fullani. Në fakt ky vendim ishte kërkuar prej kohësh nga shumë ekspertë të bankave të nivelit të dytë në vend. Gjithsesi në pritje të këtij vendimi, duke u përfshirë edhe në debate të shumta për avantazhet dhe disavantazhet e tij, disa banka në vend rritën interesat për depozitat, që përkthehet në rritje të fitimit të tyre. Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë guvernatori. “Janë shfaqur shenja ngadalësimi të ritmeve të rritjes të depozitave dhe të kredive gjatë tremujorit të fundit. Në terma relativë, ky ngadalësim ka prekur një pjesë të vogël të bilancit të bankave tregtare, por pa prekur në asnjë rast treguesit e shëndetit të sistemit bankar dhe aftësinë paguese të tij. Sensitiviteti i rritur i bankave ndaj likuiditetit ka sjellë uljen e vëllimeve të tregtimit ndërbankar dhe tendenca rritëse të normave të interesit të depozitave”, - tha Fullani. Banka e Shqipërisë do të punojë për konsolidimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar, në interes të zhvillimit ekonomik afatgjatë. “Dëshiroj të theksoj se sjellja më racionale për çdo individ, biznes apo aktor tjetër të shoqërisë shqiptare, do të ishte besimi në sistemin bankar dhe në bilancet e tij tërësisht likuide, transparente dhe të shëndetshme”,- nënvizoi Fullani.

Garancitë e depozitave

Sipas Fullanit, pritet që të ketë një rishikim të kufirit të garantimit të depozitave. “Banka e Shqipërisë në bazë të programeve te saj afatmesme për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian do të marrë masat për një përafrim sa më të afërt të kufirit të sigurimit të depozitave”, - tha ai. Guvernatori theksoi se ndryshimi i normave të interesit lidhet me një rikthim të treguesve të depozitave. Gjithsesi, duke ndjekur shembullin e institucioneve të huaja Fullani ka paralajmëruar rënie të ritmeve të rritjes ekonomike. “Kanalet që më shumë ekspozojnë ekonominë shqiptare ndaj goditjeve ekonomike të ekonomisë botërore janë rënia e prurjeve valutore si të natyrës korrente, ashtu dhe kapitale dhe shtrëngimi i kushteve të financimit në përgjithësi. Ndikimi i pritur potencial i këtyre faktorëve do të materializohet në një rritje të ekonomisë më të ngadalshme gjatë vitit 2009”, - tha Fullani.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën e interesit për marrëveshjet e riblerjes me 0.50 pikë përqindjeje. Në këto kushte, niveli i normës bazë të interesit arrin në 5.75 për qind, nga 6,25 që ka qenë gjatë 2008-ës.

Vendimi do të ulë koston e huamarrjes së bankave. Banka e Shqipërisë, vlerëson se nëpërmjet tij, krijohen premisat për një reagim pozitiv nga ana e sistemit bankar, në drejtim të uljes së përqindjeve të interesit në lekë për kreditimin e ekonomisë.

Duke vepruar brenda të gjithë parametrave të shëndetit financiar, sistemi bankar shqiptar është treguar dinamik dhe efektiv në kanalizimin e kursimeve të ekonomisë drejt financimit të aktiviteteve prodhuese të firmave apo konsumit të qytetarëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›