E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: Garantojmë 26 400 megavat

29/01/2009  KESH-i do të shesë energji në Greqi nga 8 orë energji në ditë për një muaj

Çmimi minimal është 61 euro/megavat dhe çmimi maksimal 80 euro/megavat

Shqipëria do t’i shesë Greqisë rreth 52 800 megavat orë energji për një muaj. Por nga kjo sasi KESH do të garantojë vetëm gjysmën. Kontrata me të cilën ka nisur eksporti i energjisë prej 22 janarit është sqaruar dje nga vetë ministri i Energjisë Genc Ruli.

Kontrata

Sipas ministrit të Energjetikës, me kompaninë greke PPC është rënë dakord që energjia të shitet gjatë 8 orëve në ditë në intervalet 09.00-13.00 dhe 16.00- 20.00. Kjo do të vijojë nga e hëna deri të shtunë, por KESH garanton vetëm 100 MW në ditë. Për 100 MW shitja do të bëhet me marrëveshje dypalëshe ditore sipas rastit. “Parashikimi si më sipër është bërë për efekt të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik dhe vetëm në rastet kur nuk cenohet siguria e sistemit, atëherë KESH sh. a do të shesë 100 MW e dyta”, - theksoi Ruli. Situata e mirë hidrike e sjellë nga reshjet e shumta ka krijuar një bilanc pozitiv energjetik dhe kjo po shfrytëzohet nga korporata që po shet me çmime shumë të leverdishme. “Çmimi minimal që ka kontraktuar KESH me kompaninë greke është 61 euro për megavat dhe çmimi maksimal në orët e pikut shkon në 80 euro për megavat. Po shihet mundësia edhe për shitjen e një pjese tjetër të energjisë dhe për këtë arsye KESH-i ka hapur një procedurë ankandi, e cila besoj mbyllet nesër”, - është shprehur Ruli.

Kufizimet

Sipas ministrit, ky transaksion energjie nuk bëhet në dëm të plotësimit të nevojave me energji të klientëve tariforë. Madje, kufizimet e furnizimit nuk kanë lidhje me faktin se korporata po shet energji. “Gjendja e transformatorëve ose rrjetit shpërndarës është e tillë që krijon defekte apo është e tillë që në orët e pikut nuk përballon dot ngarkesën dhe për këtë arsye krijohen ndërprerje. Kjo s’ka të bëjë fare me bilancin energjetik. Bilanci energjetik nuk krijon asnjë rrezik, madje eksportet janë të domosdoshme që uji të kalojë vetëm në turbina dhe të krijojë energji dhe jo të kalojë më së koti”, - theksoi në fjalën e tij ministri. Ai shtoi se situata po ndiqet në funksion të situatës hidrike, duke parë mundësinë e zhvillimit të transaksioneve të tjera të energjisë elektrike.

Prodhimi

Shqipëria është e detyruar të importojë rreth 2.5-3 TWh/vit, për të furnizuar normalisht me energji elektrike konsumatorët. “Është më se e njohur që edhe në kushte të favorshme hidrologjike, kërkesa për energji elektrike nuk mund të mbulohet nga prodhimi në vend. Prodhimi mesatar vjetor është rreth 4.2 TWh/vit dhe kërkesa rreth 7 TWh. Shfrytëzimi i rezervës ujore në HEC-in e Fierzës, përcakton në mënyrë thelbësore edhe shfrytëzimin e kapacitetit hidroenergjetik të kaskadës së lumit Drin, pra dhe të rezervës hidrike të sistemit”, - është shprehur ministri Ruli. Aktualisht niveli i ujit në Fierzë është 288,56 metra, prurjet janë 432 metra kub në sekondë. Prodhimi i vendit, sipas të dhënave zyrtare, është 18 066 milionë kilovat orë energji në ditë dhe importi 3 195 milionë kilovat orë. Sipas ekspertëve, në rrjet hidhen 21 261 milionë kilovat orë energji, ndërsa kontratat e importit janë mbyllur që në 2008-n.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›