Doganat, autorizim special për çdo importuesit e birës dhe cigareve
Ministria e Financave ka ndryshuar procedurat e importit për disa artikuj të akcizës ndër të cilat cigaret dhe birën. Të gjithë importuesit e këtyre artikujve duhet të pajisen me një autorizim special në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për të futur këto produkte në Shqipëri. Autorizimi lëshohet edhe nga drejtori i Tatimeve dhe jepet për një periudhë 1-vjeçare me të drejtë rinovimi. Çdo importues duhet të plotësojë disa kritere që janë: të ketë më shumë se tre vjet i regjistruar në organet tatimore si person i tatueshëm i TVSH-së, të jetë duke vazhduar veprimtarinë ekonomike, dhe të mos ketë detyrime tatimore. Bëhet fjalë për udhëzimin e lëshuar pak ditë më parë që kufizon tregun e importit të maltos, si dhe vendos kritere të reja për tregun e cigareve, me anë të lëshimit të autorizimeve nga MF-ja për efekte akcize. Do të jetë vetë ministri personi kompetent që do të lëshojë autorizimin për importuesin e maltos. Aktualisht, birra nuk ka pullë fiskale, kurse tregu është ndarë në dhjetëra fabrika ose punishte të vogla, duke e bërë të vështirë kontrollin ndaj evazionit. Pika 2 e udhëzimit ndryshon duke caktuar rregullin se importuesi i maltos, që nuk është i autorizuar si tatimpagues akcize, subjekt i prodhimit të birrës, duhet të bëjë kërkesë pranë tatimeve për të marrë autorizimin për import me qëllim tregtie. Importuesi i autorizuar, për çdo rast të importit të maltos, duhet të depozitojë si garanci përpara zhdoganimit, në një llogari bankare, 120 lekë për kilogram malto të importuar, e cila do t’i kthehet brenda 10 ditëve nga data e paraqitjes së dokumentacionit të shitjes së maltos të tatimpaguesit e autorizuar si prodhues birre. Në rastet kur tregtarit i gjenden sasi maltoje të padokumentuar, atëherë ai është i detyruar të paguajë 120 lekë për malto tatim dhe i hiqet e drejta e ushtrimit të këtij aktiviteti duke i tërhequr autorizimin si importues.
31 Maj 2010