Rrëshen-Kalimash, Transportet shqyrtojnë tre mundësi për administrimin e rrugës
Ervin KOÇI
Sapo ka rinisur nga funksionimi rruga e re Durrës-Kukës, përsëri qeveria nuk ka gjetur qetësi. Kësaj here bëhet fjalë për gjetjen e mënyrës se si do të administrohet kjo rrugë, me qëllim nxirjen e kostos së saj. E gjithë vëmendja duket se është përqendruar tek tuneli Rrëshen-Kalimash i cili ka përfunduar së ndërtuari, duke lënë disa pjesë teknike të njërit tunel që hapet në shtator. Janë tre variantet që po shqyrton aktualisht Ministria e Transporteve lidhur me mirëmbajtjen e rrugës, rreth 60 kilometra e gjatë. Qeverisë i duhet të bëjë llogaritë për mirëmbajtjen e rrugës dhe tunelit, të cilët janë tërësisht funksionalë për të përballuar fluksin e turistëve, si dhe mjeteve të rënda të transportit për qëllime tregtie. Por amortizimi i saj parashikohet që të krijojë kosto shtesë për buxhetin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, e për pasojë këtij aksi e sidomos tunelit qeveria mendon t’i vendosë një taksë për çdo automjet që kalon.
Projektet
Janë disa variantet e administrimit të kësaj rruge, që qeveria po shqyrton aktualisht. I pari flet për një kompani private, e kontraktuar nga qeveria (PPP-Partneritet Publik Privat), e cila me paratë e buxhetit do të mirëmbajë rrugën kundrejt një fitimi. I dyti shihet si mundësi nga qeveria për administrimin me forcat e veta, pra qeveria shqiptare të mobilizojë drejtoritë rajonale të rrugëve që prekin segmentin (sikurse veprohet sot) dhe po nga buxheti i shtetit, të bëhet e mundur mirëmbajtja. Kurse varianti i tretë, më i debatueshmi dhe më i mundur, është dhënia me koncesion, pra vendosja e tarifës për kalimin e rrugës, të ardhurat e së cilës do të menaxhohen nga kompania private që do mirëmbajë tunelin dhe pjesët e tjera të segmentit. Nëse qeveria vendos aplikimin e skemës me koncesion, i duhet të bëjë të tjera llogaritje mbi nivelin e tarifës. Në këtë pikë diskutimet janë të shumta, pasi shqiptarët, përveç se përballuan koston e lartë (efektet e së cilës po duken sot në ekonomi), tani i duhet të paguajnë sërish. Sipas përllogaritjeve të bëra nga gazeta, me të dhëna zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ministria e Transporteve, rezulton se vetëm me 3 euro kalimi mund të krijohet fondi i nevojshëm për të përballuar koston e mirëmbajtjes së “Rrugës së Kombit”.
Kostoja
Referuar kostos së nxjerrë nga MPPT-ja për 1 kilometër rrugë të ndërtuar nga “Bechtel&Enka” dhe pranuar nga Ministria e Financave përmes “monitorimit të buxhetit”, del se Rrëshen-Kalimash ka kushtuar të paktën 800 milionë euro, ose dyfish më tepër nga sa parashikonte kontrata. Sipas studimit të fizibilitetit, rrugën do ta përshkonin 4 mijë makina në ditë dhe duke marrë (minimumin) 2 për qind amortizim, del 11 euro tarifë për çdo mjet që kalon aksin. Por MPPT-ja pretendon se rruga ka prekur maksimumin e mjeteve (kur u hap provizorisht në sezonin e verës 2009), gati 12 mijë mjete në ditë. Pavarësisht se nuk ka një mesatare, duke e marrë të mirëqenë 12 mijë mjete në ditë, rezulton që makinat duhet të paguajnë të paktën 4 euro për çdo kalim të rrugës. Në deklaratën e bërë 10 ditë më parë kur u hap njëri tunel, ministri Sokol Olldashi parashikonte një fluks mjetesh transporti që mund të kalonin rrugën, rreth 16 mijë në ditë. Me këtë të dhënë rezulton se “taksa” e tunelit shkon në tre euro për kalim dhe vjen duke u reduktuar në rast se fluksi rritet. Megjithatë, me fluksin që shtohet, amortizimi 2 për qind në vit mund të rritet pa problem me 5 për qind (sipas ndërtuesve, amortizimi i një rruge shkon 2-5 për qind në vit, por kalkulimet e gazetës morën minimumin), madje akoma e më shumë.
Buxheti i ministrisë për sektorin rrugor
Për sektorin rrugor janë akorduar rreth 37 miliardë lekë, që sipas Financave janë të mjaftueshme për ndërtimin, rikonstruksionin dhe mirëmbajtjen e tyre. Në total, Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve i janë dhënë rreth 51 miliardë lekë, ose 27 miliardë lekë më pak nga sa mori për 2009-n. Mbarimi i rrugës Rrëshen-Kalimash reduktoi fondin për investime me gati 50 për qind, duke i akorduar para vetëm për akset e mbetura të Durrës-Kukës dhe projektet e jugut bashkë me Arbrin. Gjatë diskutimit në Kuvend të buxhetit për rrugët, Ministria e Transporteve, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, kërkoi më shumë fonde për pjesën që i takon mirëmbajtjes. Buxheti për këtë zë është 1.4 miliardë lekë, kurse rrugët kërkuan shtesë edhe 500 milionë lekë të tjera, që pas votimit nuk u miratua.
31 Maj 2010