Doganat dhe portet me sistem të ri matës për karburantet
Një sistem i ri për kontrollin e karburanteve që hyjnë nga portet është vendosur së fundmi. Vetë kreu i administratës doganore, Përparim Dervishi, është shprehur se “sistemi i ri i matjes për karburantet, të cilët quhen kalimatësa, janë pajisje moderne të shoqëruara me një sistem të tërë kompjuterësh, të cilat bëjnë të mundur që të matet me saktësi pesha dhe lloji i karburantit që hyn në territorin shqiptar”. Këto pajisje, sipas Dervishit, janë blerë dhe instaluar në doganat e Durrësit dhe Shëngjinit. “Këto janë aparate që të japin mundësinë të përcaktosh një matje dhe përpunim të shpejtë të karburanteve, që do të thotë se largohemi nga metoda tradicionale, që është matja me sistem zhytje apo autobot nga anijet te depozitat, apo edhe matja te depozita”, është shprehur Dervishi. Por këto pajisje nuk mund të shërbejnë për të kontrolluar gazin. Kalimatësat janë në gjendje të dallojnë llojin e lëndës djegëse apo karburantit, cilësinë që ka të bëjë me klasifikimin tarifor doganor, por sa i përket gazit, administrata doganore ka një aparat të posaçëm të matjes dhe përcaktimit të cilësisë së gazit. Madje, po instalohet edhe laboratori “SGS”-ë i një institucioni të mirënjohur zviceran, që shërben për matjen e cilësisë së lëngjeve dhe gazeve. Kreu i Doganave u shpreh se këto institucione kanë edhe autoritetin ligjor për të marrë mostrat dhe për të kryer kontrollin e cilësisë, si dhe të japin certifikatën e cilësisë dhe lejimin e hedhjes së mallit në qarkullim.
Rezervat e naftës, gjoba për importuesit që nuk i respektojnë
Disa prej firmave importuese të naftës nuk respektojnë sasinë e rezervës së naftës të përcaktuar me ligj. Për të frenuar këtë situatë, si dhe për të përmirësuar cilësinë, specialistët e Ministrisë së Ekonomisë janë duke hartuar një ligj të ri, me anën e të cilit parashikojnë ta vënë nën kontroll këtë fenomen. Parashikohet që brenda vitit 2008 do të përcaktohet një sasi mesatare para shitjes së naftës, një herë në vit. Qeveria shqiptare ka ndryshuar ligjin në dhjetor të vitit 2007, pasi në ligjin e vjetër, pjesa më e madhe e këtyre kompanive ishin të dështuara në sigurimin e kësaj rezerve. Ministria e Ekonomisë ka ushtruar kontrolle dhe ka vënë një sërë gjobash, për arsye se kompani të caktuara nuk i kishin të depozituara sasitë e rezervës së sigurisë së naftës. Burime zyrtare nga kjo ministri bëjnë të ditur se nga 41 kompani importuese të naftës që operojnë në treg, vetëm një pjesë e tyre e respektojnë në mënyrë rigoroze rezervën e sigurisë së detyruar me ligj. Sipas specialistëve të METE-s, gjatë inspektimeve në terren, një pjesë e kompanive janë gjobitur për mungesë të rezervës së naftës. Ekspertët shprehen se, “një pjesë e kompanive nuk e kishin rezervën e naftës, një pjesë e kishin në sasi tepër të vogla, ndërsa disa të tjera nuk kishin pothuajse asnjë sasi”. Rezervat e sigurisë së naftës janë të nevojshme në rast ngjarjesh të jashtëzakonshme të një shteti, prandaj, përveç se një kusht themelor, ky do të jetë një detyrim ligjor për të gjitha kompanitë importuese të naftës në vendin tonë.
29 Maj 2008