E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapet tenderi për privatizimin e Kompanisë së Shpërndarjes në KESH



Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka hapur tenderin për privatizimin e Kompanisë së Shpërndarjes së KESH-it përmes publikimit të Ftesës për Aplikim në Parakualifikim në gazetën “Financial Times”. Korporata Financiare Ndërkombëtare “IFC”, pjesë e Grupit të Bankës Botërore, po ndihmon Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë në procesin e privatizimit bazuar në marrëveshjen që ajo ka me të. IFC-ja është angazhuar për të këshilluar METE-n në ndarjen e aseteve te Kompanisë së Shpërndarjes nga aktivitetet e tjera të KESH-it. IFC-ja gjithashtu do të ndihmojë për të strukturuar transaksionin dhe bërë atë sa më tërheqës për sektorin privat. Kjo do të realizonte një proces konkurrues të hapur dhe transparent në mënyrë që të ofrohet një partner strategjik privat optimal, i cili do të punojë dhe do ta zhvillojë më tej kompaninë. Shumë investitorë ndërkombëtarë potencialë qe morën pjesë në Konferencën e Investitorëve të KESH-it, mbajtur në Tiranë në 8 prill, shprehën interesin për privatizimin e Kompanisë së Shpërndarjes. Nëpërmjet një tenderi të hapur ndërkombëtar, qeveria shqiptare planifikon të shesë 51 për qind deri 76 për qind të Kompanisë së Shpërndarjes tek një investitor strategjik. Privatizimi është një hap i nevojshëm për të ulur humbjet në shpërndarjen e energjisë elektrike, të cilat po vazhdojnë të dëmtojnë rëndë vendin. Sipas Entit Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE: “Këto humbje janë rreth 2 miliardë kilovat-orë në vit, nga të cilat, 1 miliard kilovat-orë janë humbje joteknike dhe që shkaktojnë një dëm shumë të madh ekonomik”. Për këtë arsye pritet që privatizimi të ketë një ndikim thelbësor pozitiv në ekonominë shqiptare. Banka Botërore dhe USAID-i kanë marrë pjesë dhe kanë mbështetur këtë proces si donatorë. Privatizimi i Kompanisë së Shpërndarjes së KESH-it është më i madhi dhe më kompleksi në sektorin e energjisë në Shqipëri.

29 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›