E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta çdo ditë thyen nga një rekord, qeveria asnjë masë

Çmimi i gazoilit në treg ka shënuar 163 lekë për litër. METE mjaftohet vetëm me disa gjoba për importuesin

Ervin Koçi

Çmimi i naftës arriti dje rekordin historik të çmimeve në vend, me 163 lekë/litri për naftën e tipit “D1” (eurodiesel), nivel i cili nga ana e konsumatorëve as që ishte menduar. Importuesit vendas ia faturojnë këtë rritjes së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Ata thonë se, “çmimet e larta të naftës në bursat ndërkombëtare i kanë detyruar të rrisin çmimet në tregun e brendshëm të pakicës”. Në fakt, një fuçi naftë bruto është shitur në fillim të javës me rekordin e mbi 135 dollarëve në bursat kryesore të botës. Me rritjen e fundit, po ta krahasojmë me një vit më parë, vihet re se çmimi i naftës me pakicë në vendin tonë është rritur për një vit në masën e konsiderueshme prej 40 përqindësh. Në fillim të vitit të kaluar, një litër naftë e tipit “D1” në tregun me pakicë kushtonte vetëm 115-120 lekë për litër. Nafta “D2” është shitur gjatë ditës së djeshme me një çmim prej 155 lekë për litër, ndërsa benzina ka pasur një çmim prej 160 lekë për litër. Çmimi i naftës së cilësisë së parë vazhdon që të luhatet sipër atij të benzinës, duke paraqitur një sjellje të re në tregun vendës. Tashmë askush nuk e sheh me çudi që çmimi i arit të zi në vend të mbërrijë në 200 lekë për litër në fund të këtij viti, pasi koniunktura e çmimeve vazhdon që të drejtohet me shpejtësi në këtë nivel rekord. Grosistët në vend, bëjnë të ditur se për çdo javë që kalon, çmimet kanë pasur një rritje me rreth 20 dollarë për ton. Çmimet janë rritur aq shumë, sa edhe kompanitë që mundet të importojnë sasi të mëdha të naftës janë të pakta, duke treguar se vlera e arit të zi është në rritje të vazhdueshme.

Inflacioni

Rritja e çmimit të karburanteve në vend po shihet nga specialistët e sektorit si një nga shkaqet kryesore të krizës inflacioniste, me të cilën po përballet sot e gjithë bota. Kjo rritje ka sjellë efekte zinxhir edhe në mallrat e tjerë dhe shërbimet në të cilat ajo përdoret si lëndë e parë. Kështu, qeveria vendosi që të rrisë çmimet e biletave të transportit urban me 50 për qind. E njëjta situatë është duke u përjetuar edhe përsa u përket çmimeve të biletave në të gjithë transportin e qytetarëve, që realizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga privatët. Çmimet e të gjitha biletave të shërbimit interurban kanë pësuar një rritje të ndjeshme, që prej fundit të vitit 2007. Me rritjen e fortë të çmimeve të naftës, një nga sektorët që po përjeton krizën e radhës, është bujqësia. Kostot e shumta po rëndojnë mbi fermerët, që për shkak edhe të nivelit të pakët të tokës në pronësi, nuk mund që të bëjnë asgjë për të përfituar nga kjo situatë. Ngritja e një strukture të veçantë të specializuar, që do të rekomandonte masa konkrete për të ndihmuar në këtë situatë, do të ishte një zgjidhje e mirë. Të tilla institucione tashmë po operojnë në shumë vende që po përballen me krizën botërore. Përsa u përket çmimeve të karburanteve, specialistët theksojnë se Shqipëria vuan nga një mungesë e shërbimit cilësor urban, që do të ishte me një kosto të ulët për qytetarët. Shqipëria vazhdon që të jetë në nivele të ulëta, përsa i preket numrit të makinave për banorë, krahasuar me vendet evropiane, por konsumi i karburanteve nga mjetet që qarkullojnë në vend është në nivele të larta.

Ndërkombëtarët

Krahasuar me një vit më parë edhe çmimet e naftës në bursat ndërkombëtare janë rritur me rreth 40 për qind. Ekspertët e Bankës Botërore kanë pohuar se kjo situatë nuk do të vazhdojë gjatë, pasi tregu po i përgjigjet rritjes së çmimeve. Sipas BB-së, shumë vende të industrializuara janë duke ulur kërkesën e tyre për naftë, çka mendohet se do të frenojë disi rritjen e çmimeve dhe stabilizimin e tyre brenda këtij viti. Ndërsa, sipas ekspertëve të koniunkturës në Bankën e Shqipërisë dhe Ministrinë e Financave, ritmet e rritjes së çmimeve të naftës me pakicë në tregjet vendase janë shumë më të larta se rritjet e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar. Por dritë shprese kanë lindur gjatë ditëve të fundit në bursat ndërkombëtare, pavarësisht rritjeve rekord të çmimit. Nga një rekord prej 135.09 dollarë për fuçi që ka arritur nafta gjatë javës që kaloi, ditën e djeshme, çmimi i naftës arriti në 130.69 dollarë, duke pësuar një rënie me 1.50 dollarë krahasuar me një ditë më parë. Pavarësisht deklaratave dhe parashikimeve të bëra nga ana e specialistëve të tregjeve ndërkombëtare, fati i çmimit të naftës mbetet tërësisht në dorë të lëvizjeve gjeopolitike. Irani ka bërë të ditur se ka ulur ndjeshëm naftën e nxjerrë në treg nga vendburimet e tij, gjatë javës që kaloi. Sipas specialistëve të tregjeve, nafta për këtë vit parashikohet që të ketë një çmim mesatar, që do të shkojë në 107 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë 2009 dhe 2010, çmimi mesatar parashikohet që mos të kalojë 102 dollarë për fuçi.

29 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›