Komunikimet elektronike, Berisha kërkon përshpejtim të reformave
Kryeministri Berisha organizoi dje një takim për përshpejtimin e reformës në komunikimet elektronike. Gjatë këtij takimi kryeministri Berisha kërkoi përshpejtimin e reformës në këtë sektor jetik për zhvillimin e ekonomisë, duke liberalizuar tregun, dhe rrjedhimisht ulur çmimet e larta të shërbimeve të telekomunikacionit për popullsinë. Ai i kërkoi Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit të hapë garën për përzgjedhjen e operatorit GSM-ë që do të ofrojë shërbimin më cilësor dhe më të lirë për të gjithë punonjësit e administratës publike të vendit. Kryeministri Berisha kërkoi dhe përshpejtimin e punës për futjen e teknologjive të reja, si “Wi-Max” etj. Në takim merrnin pjesë ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, ministri i Punëve Publike dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, drejtori i Entit Rregullator të Telekomunikacioneve, Ilir Shehu, drejtori i Agjencicë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Etion Kapedani etj.
29 Maj 2008