E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje: Qeveria e koncesioneve

Nga Express më 17 shtator 2011 në ora 19:03

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka reaguar ndaj gjendjes në veri, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e masave reciproke ndaj Serbisë, ndërkohë që kjo e fundit vazhdon bllokadën ndaj mallrave të Kosovës.

“Përkundër faktit që kamionët nga Serbia mund të hyjnë me tabela të Serbisë, dhe përkundër faktit që shoferët serbë mund të hyjnë me dokumente të lëshuar nga Republika e Serbisë, dhe përkundër faktit që në çdo dokument doganor të eksportuesve Serbisë Kosova trajtohet si pjesë e Serbisë, mallrat e Serbisë nuk ndalohen nga Qeveria e Kosovës. Në anën tjetër, për të eksportuar në Serbi, kompanitë kosovare duhet të marrin me qira kamionë nga një shtet i tretë apo nga Serbia për të kaluar nëpër Serbi, duhet të marrin shoferë me dokumente nga Serbia, dhe t’ia mësyjnë kufirit me rrezik e frikë se mos në dokumentet e tyre figuron ndonjë element i shtetit të Kosovës, qoftë me fjalë apo me simbole”, thuhet në komunikatë.

Vetëvendosje konsideron se vendimi i Qeverisë së Kosovës që të presë deri të hënën për rivendosjen e reciprocitetit, dëshmon edhe njëherë për politikat e padrejta dhe jo zhvillimore të Qeverisë.

“Koncesionet që Qeveria e Kosovës po ia bën Serbisë vetëm sa do të shfrytëzohen nga Serbia për ta luftuar shtetin e Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Në vend se Serbia të kushtëzohet, asaj i jepen vikende shtesë për të shitur edhe më shumë mallra në Kosovë. Përderisa në veri të Kosovës po ndërtohen mure dhe realitet i ri, përderisa institucionet e Kosovës janë në shënjestër të strukturave ilegale, përderisa Serbia na sulmon në çdo institucion ndërkombëtar dhe kërcënon me dhunë dhe luftëra të reja, dhe përderisa doganierët serbë ndalojnë mallrat kosovare, Edita Tahiri i gëzohet edhe një raundi bisedimesh në Bruksel në fund të shtatorit, ndërsa Qeveria e Kosovës i jep afate shtesë Qeverisë së Serbisë duke shpresuar se me heqje dorë nga shtetësia e Kosovës dhe me koncesione të reja do t’ia bëjë qejfin Qeverisë së Serbisë e do ta pajtojë atë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Të premten, Qeveria e Kosovës vendosi të heqë masat reciproke ndaj Serbisë, pak javë pasi që kishte vendosur për masat e reciprocitetit, ndërkohë që Serbia vazhdon të bllokojë mallrat nga Kosova.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›