Sarkozi fton Berishën në Festën Kombëtare të Francës më 14 korrik
Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, i ka dërguar një ftesë kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, të cilin e fton të marrë pjesë në festimet për Festën Kombëtare të Francës më 14 korrik. Në ftesën drejtuar Berishës Presidenti i Republikës Franceze, Sarkozi e fton atë të marrë pjesë edhe në Samitin e vendeve të Mesdheut dhe të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ky Samit zhvillohet më 13 korrik 2008 në Paris. Me anë të kësaj ftese presidenti Nikola Sarkozi e fton kryeministrin Berisha të marrë pjesë edhe në darkën zyrtare që shtron për nder të pjesëmarrësve.
Gjithashtu, presidenti Sarkozi e fton kryeministrin Berisha të marrë pjesë në festimet madhështore me rastin e Festës Kombëtare të Francës, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, si dhe për të marrë pjesë në paradën që zhvillohet në sheshin “Champs Elysee” më 14 korrik 2008 dhe në drekën që presidenti Sarkozi shtron me rastin e Festës Kombëtare të Francës. Kjo ftesë është pritur dhe pranuar me shumë kënaqësi nga kryeministri Berisha.
13 Qershor 2008