E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjysmohet TVSH-ja në shëndetësi



zirina llambro

Shqipëria ka çmime 4 herë më të larta të ilaçeve se vendet e rajonit e më gjerë. Abuzimet që bëjnë disa nga importuesit e barnave i vuajnë mbi kurriz qytetarët. Ky problem është ngritur shpesh, por kësaj here denoncimi vjen nga vetë Kryeministri Sali Berisha. Dje në mbledhjen e Qeverisë ai deklaroi se me përgjysmimin e TVSH-së deri në 10% për sektorin e shëndetësisë, i jepet fund njëherë e mirë këtij spekulimi. Po kështu Kryeministri theksoi se kjo masë që po ndërmerret do të nxisë investimet në këtë sektor. Pas hyrjes në fuqi të vendimit në fjalë, një ilaç që deri tani ka kushtuar 100 lekë do të kushtojë 90 lek. Investimet për shembull që mund të kapin një vlerë prej 1 milion euro, përfshi këtu dhe TVSH-në në masën 20% që është paguar deri tani, me masën e re do të kushtojnë 900 mijë euro. "Duke përgjysmuar TVSH-në, do të bëjmë që të investohen qindra miliona euro më shumë, do të mund t'i jepet fund një herë e mirë një spekulimi të paskrupullt të disa importuesve të ilaçeve", tha Berisha. Ai shtoi se në këtë mënyrë do të kemi shërbime më cilësore në shëndetësi. "Me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Shëndetësisë kemi rënë dakord që TVSH-ja në sistemin e shëndetësisë, për çdo gjë dhe për gjithçka, të jetë 10 për qind. Me këtë vendim, të cilin komuniteti i mjekëve, por edhe i sipërmarrësve privatë në fushën e shëndetit dhe të shërbimeve shëndetësore e ka vlerësuar dhe mirëpritur shumë, ne synojmë, në kuadrin e reformës në shëndetësi, të zgjerojmë hapësirat publike dhe private për shërbime që janë jetike për qytetarët shqiptarë", theksoi kreu i Qeverisë. Duke u ndalur në abuzimet që bëjnë disa prej importuesve, Berisha nënvizoi se me masën e re synohet t'u jepet një goditje përfundimtare abuzimeve në tregun e medikamenteve. "Kështu do të mund t'i jepet fund një herë e mirë një spekulimi të paskrupullt të disa importuesve të ilaçeve, të cilët, me dokumente të falsifikuara, deklarojnë, me fakte, çmime 4 deri 6 herë më të larta, sesa çmimet me të cilat i kanë blerë. Duke qenë se çmimi i lartë përcaktohet nga vlera e çmimit të blerë, bëjnë që Shqipëria të ketë çmimet më të larta në ilaçe, në rajon e më gjerë", tha shefi i Qeverisë. Me vendosjen e TVSH-së 10 për qind sipas tij, i jepet goditje përfundimtare këtij spekulimi dhe krijohet një frymëmarrje e madhe për shërbimet shëndetësore publike dhe private. "Nuk duhet të harrojmë se me 1/5 e buxhetit që ne përcaktonim, paguhej TVSH-ja nga sektori publik", u shpreh Kryeministri. Duke folur për domosdoshmërinë e mbështetjes dhe të krijimit të lehtësive për zhvillimin e teknologjisë së informacionit, Berisha tha se Qeveria, në plotësim të kërkesës dhe mbështetjes së kompanive të ICT-së, do të ulë TVSH-në edhe për këtë sektor, në 10 për qind. "Ecja me shpejtësi drejt shërbimeve të dixhitalizuara është mënyra më e sigurt për një përmirësimin shumë të madh të shërbimeve ndaj qytetarëve. është vendosur që edhe për këtë sektor ta ulim TVSH-në në 10 për qind. Ne mbetemi tek taksa hyjnore dhe tokësore që është e dhjeta, të cilën e gjejmë edhe në Testamentin e Vjetër", tha Kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›