E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia ndalon 12 persona, do të kalonin në Greqi si klandestinë

Fier - Një 20-vjeçar është ndaluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga policia e Fierit, për favorizim të kalimit të paligjshëm të kufirit të disa shtetasve shqiptarë. Burimet zyrtare të policisë së Fierit thanë se rreth orës 01:00 të ditës së djeshme është ndaluar në qytetin e Sarandës, nga Sektori i Luftës Kundër Trafiqeve në DPQ Fier, shtetasi Valentin Ndoi, nga fshati Dukagjin i rrethit të Krujës. Të njëjtat burime saktësuan se në datën 21 shkurt 2008, forcat e policisë shoqëruan 12 shtetas, kryesisht të zonës Lezhë, Dibër dhe Laç, të cilët udhëtonin me autobusin e linjës Tiranë-Sarandë. Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, personat do të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme për të punuar si emigrantë në shtetin grek. Ata u ndaluan në orët e pasdites në vendin e quajtur “Sheq“, në qytetin e Fierit. Gjatë seancës së pyetjeve nga oficerët e Policisë Gjyqësore, të shoqëruarit deklaruan se destinacioni i tyre ishte toka greke. Ata deklaruan se në Sarandë i priste shtetasi Ndoi, i cili u kishte premtuar se do t’i ndihmonte për të kaluar ilegalisht kufirin nga Saranda, përkundrejt pagesës së 300-500 euro secili. Pas zbardhjes së informacionit operativ dhe marrjes së dëshmive nga personat e implikuar në çështje, u organizua plani operacional për ndalimin e 20-vjeçarit Ndoi. Agjentët e Sektorit të Luftës Kundër Trafiqeve finalizuan ndalimin e tij rreth orës 01:00 në vendin e quajtur “Agjencia“ në qytetin e Sarandës. Në momentin e ndalimit, autorit iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 telefona celularë, me të cilët kishte biseduar me personat e shoqëruar, si dhe 500 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Fier, për veprën penale të “dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit”.

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›