Gjyqtarët e Gjirokastrës akuzojnë kryetarin për fondet
Tiranë - Reforma në Drejtësi ka nisur startin e saj në qytetin e Gjirokastrës, me analizën e punës së tri gjykatave, përkatësisht të rretheve Gjyqësore Sarandë, Gjirokastër si edhe të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, nën juridiksionin e të cilës këto gjykata veprojnë. Problematikat e gjykatave janë diskutuar në prani të zëvendëskryetarit dhe disa anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në një takim prej gjashtë orësh u evidentuan kritikat me tone të ashpra të gjyqtarëve të qytetit të Sarandës ndaj autoritetit të kryetarit të kësaj gjykate, lidhur me mungesën e etikës në komunikim, si dhe njëanshmërinë në procedurën e ndarjes së çështjeve gjyqësore duke mos respektuar rregullat e hedhjes së shortit, situata të cilat kanë qenë premisë për lindjen e konflikteve brenda vetë trupës gjyqësore. Si në këtë gjykatë, ashtu dhe në atë të Apelit Gjirokastër, u parashtruan shqetësime serioze të trupës gjyqësore lidhur me administrimin e fondeve nga drejtuesit e këtyre gjykatave. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, zoti Kreshnik Spahiu, u shpreh për “tolerance zero” ndaj çdo fenomeni të abuzimit të gjyqtarëve apo kryetarëve të saj brenda sistemit gjyqësor. Nga komuniteti i gjyqtarëve të zonës jugore të vendit nuk munguan vërejtjet dhe sugjerimet mbi ligjin e ri organik “Për organizimin e pushtetit gjyqësor”, efektet e të cilit priten të ndjehen brenda një kohe të shpejtë.
23 Shkurt 2008