E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD, trefishohen ankesat për gjyqtarët në të gjithë vendin

Nis inspektimi në Gjykatat e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Si do të vlerësohen gjyqtarët për të ruajtur vendin e punës
Laureta Rryçi

Tiranë - Gjatë muajit janar 2008 është trefishuar numri i ankesave të depozituara pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), krahasuar me periudhën 2005-2007. “Në janar 2008 janë depozituar 220 ankesa, kur për vitet 2005-2007 ky numër ka lëvizur mes 717-787 ankesave në vit, pra tri herë më shumë”, - u shpreh dje gjatë një konference për shtyp shefi i Projekteve në KLD, Erlis Themeli, i cili theksoi gjithashtu se KLD-ja është përfshirë në një sërë iniciativash në terren, të cilat kanë për qëllim të kontribuojnë në ngritjen e standardeve profesionale të sistemit gjyqësor shqiptar. Sipas Themelit, një nga fushat e veprimit të Këshillit është monitorimi i veprimtarisë gjyqësore të gjykatave të dy niveleve të para nëpërmjet një procesi maratonë. Ai shtoi se në këtë proces janë përfshirë të gjithë anëtarët e KLD-së. Sipas tij, Inspektorati vazhdon inspektimin në Gjykatat e rretheve Gjyqësore Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Inspektimi
KLD-ja ka miratuar kryerjen e një inspektimi tematik, objekt i të cilit është “Inspektimi i zhvillimit të seancave gjyqësore në respektim të solemnitetit gjyqësor, reflektimit të etikës gjyqësore, zhvillimit të gjykimeve në orar dhe disiplinës në punë”, - tha Themeli, i cili nënvizoi se ky inspektim u vendos me unanimitet të të gjithë anëtarëve, në bazë të ankesave të shumta që kanë ardhur në KLD. Inspektimi, sipas Themelit, i referohet një skeme të gjerë gjeografike, pasi u drejtohet Gjykatave të rretheve Gjyqësore dhe të Apeleve dhe në përfundim të tij nga ana e Inspektoratit do të hartohet një raport i hollësishëm së bashku me rekomandimet për problemet e konstatuara nëpër gjykata, të cilat do t’i paraqiten KLD-së. Ndër prioritetet e iniciativave të marra, sipas Themelit, është edhe vlerësimi i punës së kryetarëve të gjykatave, të cilët nuk preken nga efektet e vendimit të Këshillit për limitimin e mandatit të ushtrimit të funksionit drejtues. Sipas tij, nga KLD-ja u miratua tematika e kontrollit të veprimtarisë së tyre, e cila shtrihet në 18 aspekte të drejtimit të punës në gjykata, që do të thotë një ekzaminim tërësor i aftësive organizative dhe drejtuese të kryetarëve, ku rezultatet e përfituara do të mund të shërbejnë si një kriter matës mbi mundësinë e kryetarit aktual për të qenë ose jo ndër kandidaturat e përshtatshme në vazhdimin e drejtimit të gjykatës.
Vlerësimi i gjyqtarëve
“Një nga prioritetet e KLD-së është edhe vlerësimi profesional dhe etik i gjyqtarëve, i cili konsiston në një analizë shumëplanëshe të tyre, sipas kritereve të përcaktuara me vendim të KLD-së”, - u shpreh Themeli, i cili shtoi se vlen të përmendet rëndësia që ky sistem do të ketë në ecurinë e karrierës së gjyqtarit. Duke nënvizuar këtë fakt, Themeli tha se sistemi i vlerësimit do të jetë përzgjedhës në promovimin e gjyqtarëve me rezultatet më të mira brenda sistemit gjyqësor dhe, nga ana tjetër, do të jetë seleksionues për evidentimin dhe largimin nga sistemi i atyre gjyqtarëve që në fund të vlerësimit do të rezultojnë të paaftë.

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›