E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganierët grekë zgjasin grevën edhe një javë

Kufiri

Zgjatet greva e doganierëve grekë. Burime nga Pika e Kalimit Kufitar të Kakavijës bëjnë të ditur se doganierët e vendit fqinj kanë vendosur ta zgjasin grevën edhe me një javë tjetër, duke vendosur orën 19:00 të datës 25 shkurt si afatin përfundimtar të saj. Për pasojë, në Kakavijë dhe në të gjitha pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë mund të lëvizin vetëm këmbësorë. Punonjësit e doganave greke kanë nisur grevën në fillim të këtij muaji me kërkesa për rritjen e pagës dhe të shpërblimeve. Ata kundërshtojnë gjithashtu reformat e qeverisë në drejtim të politikave doganore. Kjo grevë i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomisë greke, por edhe asaj shqiptare, pasi shumë biznese në jug të vendit punojnë me lëndë të parë që vjen nga Greqia, tregtojnë mallra të importuara prej këtij vendi, apo eksportojnë prodhimet e tyre në Greqi. Problemet janë jo të vogla edhe për emigrantët, të cilët nuk mund të lëvizin me mjetet e tyre nga Greqia në Shqipëri dhe anasjelltas, pasi në pikat kufitare kalojnë vetëm këmbësorët. Burimet e policisë kufitare shqiptare bëjnë të ditur se gjatë ditëve të grevës janë lejuar të kalojnë vetëm autoambulancat me të sëmurë që kanë nevojë të kurohen në spitalet greke.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›