E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani pret ministrin kosovar, marrëveshje për pushtetin vendor

• TIRANE - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, priti dje në një takim ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, Sadri Ferati.Ai shoqërohej edhe nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. Sipas burimeve zyrtare, që në fillim të bisedës ministri Nishani uroi ministrin Sadri Ferati për Pavarësinë e Kosovës. "Në vijim të bisedës mes dy zyrtarëve, ministri Nishani njohu ministrin Ferati me reformat më të rëndësishme të ndërmarra nga Qeveria shqiptare në drejtim të decentralizimit të pushtetit vendor, duke përfshirë edhe përgatitjen e strategjisë së decentralizimit", thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, kreu i Ministrisë së Brendshme përmendi si zhvillime të rëndësishme për ecurinë më të mirë të qeverisjes vendore, delegimin e kompetencave, transferimin e pronave publike në varësi të pushtetit vendor, rritjen e trefishtë të grantit krahasuar me vitin 2005, aplikimin e granteve konkurruese dhe një sërë nismash ligjore, ndër to edhe e drejta për huamarrje, që i vijnë në ndihmë të drejtpërdrejtë pushtetit vendor. Gjatë takimit me ministrin e Republikës së Kosovës, Nishani ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtësisht me Ministrinë e Pushtetit Lokal të Kosovës, për rritjen e kontakteve dhe takimeve të të gjitha niveleve, e në veçanti në nivel ekspertësh. Sipas burimeve, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Sadri Ferati, u shpreh në takim se qeveria e Kosovës është në fazën e përgatitjes dhe implementimit të disa ligjeve të rëndësishme që i takojnë qeverisjes vendore dhe financave vendore. Ai informoi në takim edhe për procesin e transferimit të kompetencave për shërbimet publike në drejtim të pushtetit vendor. Ministri Ferati shprehu edhe gatishmërinë e Ministrisë së Pushtetit Lokal të Kosovës për bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë në të gjitha fushat dhe përgatitjen e një marrëveshjeje mirëkuptimi për këtë qëllim. Në përfundim të bisedimeve u ra dakord që ekspertët e të dy palëve të punojnë për hartimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën e administrimit të pushtetit lokal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›