E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Rakipi: “Vizat për shqiptarët po aq të rëndësishme sa transparenca e zgjedhjeve”

Autori i Lajmit: S. Topi

Ylli Rakipi, drejtor i gazetës “Albania”

Zoti Rakipi, për herë të parë kreu i PS-së po me aq forcë sa kërkon transparencën e zgjedhjeve, kërkon dhe mbështetje për vizat. Është kjo një strategji e re për të fituar më shumë besim te ndërkombëtarët?
Nuk mendoj se është një strategji e re. Është detyra e zotit Rama të kërkojë si mazhoranca e sotme liberalizimin e vizave, sepse ky është një shqetësim edhe për të si për të tjerët. Nuk duhet konsideruar liberalizimi i vizave si fitore për të majtën apo të djathtën,. Është një proces krejt normal që Shqipëria duhet ta kishte kryer shumë më parë. Nuk i heq vizat Rama dhe Berisha, por Perëndimi. Është ai që hap derën dhe për këtë kërkon standarde, kërkon miratimin e opozitës. Këtë miratim jo vetëm për vendin, por dhe për popullin opozitar, Edi Rama është i detyruar ta japë.

Zoti Rama kërkoi mbështetje kur zonja Ashton tha se duhen reforma. Kjo do të thotë se ai njeh reformat e kryera nga mazhoranca?
Duhet të dini se reformat janë të lidhura dhe me problemet teknike dhe problemet e këtij vendi. Reformat janë detyrë e mazhorancës dhe Perëndimi ka kohë që këmbëngul për këto reforma. Zoti Rama po kërkon liberalizimin e vizave me atë fuqi që i kërkon dhe mazhoranca. Çdo proces ka rrugën e vet dhe nuk duhet të bëhet vetëm me pjesëmarrjen e njërës palë.

Kreu i PS-së ka deklaruar se dy çështjet e rëndësishme janë transparenca e zgjedhjeve nëpërmjet hapjes së kutive dhe liberalizimi i vizave. Janë të së njëjtës rëndësie këto dy çështje për shqiptarët?
Unë besoj se liberalizimi i vizave apo transparenca, është njëlloj si të thuash kush është më i mirë: Leo Mesi, futbollist i Barcelonës apo Ronaldo. Nuk mendoj se njëri është më i mirë nga tjetri. Problemi është se shqiptarëve u duhen vizat patjetër, por dhe një transparencë e procesit zgjedhor që është themeli i demokracisë në Shqipëri.
Ky lajm është publikuar: 12/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›