E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: I ulët mesazhi kërcënues për Xhufin

09/07/2009  Konventa e LSI-së

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi kushtet e saj për pjesëmarrjen në koalicionin qeverisës me demokratët. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar pranë kësaj partie, Edmond Haxhinasto, bëri me dijë se konventa gjatë mbledhjes së saj konkludoi se “dalja nga kriza aktuale ekonomike, reformat e integrimit evropian, lëvizja e lirë e shqiptarëve në BE, reforma zgjedhore dhe pavarësia e gjyqësorit do të jenë objektiva kryesore edhe për koalicionin e ardhshëm qeverisës”. Nga ana tjetër, Haxhinasto e cilësoi si një akt të ulët mesazhin kërcënues që është dërguar në adresë të nënkryetarit të LSI-së Pëllumb Xhufi, ku atij i kërkohej të mos fliste kundër marrëveshjes së partisë së Ilir Metës me PD-në. Kryetari i Komiteti Drejtues Kombëtar Edmond Haxhinasto foli edhe për ndërprerjen e sinjalit televiziv gjatë kohës që në konventën kombëtare të LSI-se po fliste Xhufi. “Mendoj se janë akte të ulëta, që nuk reflektojnë frymën që ekziston brenda LSI-së për trajtimin e mendimit ndryshe dhe alternativave të tjera të anëtarëve të nderuar, anëtarë të thjeshtë qofshin ata, jo më për zëvendëskryetarin e partisë. Ne nuk mund të jemi përgjegjës për ndërprerjen e sinjalit televiziv, nuk është diçka që varet nga LSI-ja”, - vuri në dukje Haxhinasto.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›