E Diel, 1 Nëntor 2026

PS paralajmëron mosnjohjen e zgjedhjeve

09/07/2009  Socialistët nuk heqin dorë nga mandati i 9-në në Fier

“Meta-Berisha, qeveri si një ndërmarrje e përbashkët me qëllim fitimi”

Partia Socialiste u ndal sërish dje te rezultati i zgjedhjeve parlamentare për Qarkun e Fierit. Duke mos ndryshuar qëndrim, socialistët i mëshojnë faktit se, nëse nuk do të ketë tërheqje nga PD për grabitjen (siç e cilëson PS-ja) e mandatit të nëntë në këtë qark, atëherë kjo e fundit nuk do të njohë zgjedhjet parlamentare të zhvilluara më 28 qershor. “Duke e konsideruar vijim në rrugën e krimit elektoral të Sali Berishës vendimin e djeshëm të KQZ-së dhe duke paraqitur menjëherë ankimimin e këtij vendimi për të siguruar numërimin e të gjitha votave që Sali Berisha po orvatet ti fshijë për të grabitur mandatin e nëntë të Partisë Socialiste, ne ritheksojmë me forcë se kjo grabitje është baras me mosnjohjen e zgjedhjeve nga ana jonë”, - u shpreh zëdhënësja për shtyp e selisë rozë Armela Imeraj. Sipas saj, Partia Socialiste nuk do ta amnistojë krimin elektoral të 28 qershorit dhe do ti shkojë deri në fund hetimit të tij, pavarësisht koalicionit të së keqes që politika e vjetër ka krijuar për ti vënë kapak këtij krimi dhe frenuar ndryshimin që kërkon populli duke e përcaktuar Partinë Socialiste forcën e parë në vend. “Ilir Meta u bashkua me Sali Berishën për të grabitur mandatin e nëntë të Partisë Socialiste dhe për ti dhënë jetë një qeverie që si asnjëherë në këta 18 vjet është mishërimi i aleancës së interesave ekonomikë të familjeve e të oborreve të dy zotërinjve, që për ti shpëtuar falimentimit reciprok politik e kthyen qeverinë e vendit në një ndërmarrje të përbashkët me qëllim fitimi”, - deklaroi Imeraj gjatë fjalës së saj. Madje, po në këtë linjë, zëdhënësja për shtyp e PS-së nënvizoi se “qoftë njëri, qoftë tjetri, duhet ta harrojnë se mund të qeverisin pa dorëzuar mandatin e nëntë të Fierit, pa lejuar rinumërimin që kemi kërkuar në disa zona dhe pa i hapur rrugë hetimit të imët të të gjithë krimit elektoral të 28 qershorit”.

Qëndrimi

Partia Socialiste deklaron për herë të parë publikisht humbjen e saj në garën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Zëdhënësja për shtyp e kësaj partie, duke folur për qëndrimin e palëkundur të PS-së sa i takon mandatit të nëntë në Fier, deklaroi qartë se “Partia Socialiste nuk ka fituar të drejtën për të qeverisur vendin, por ka marrë detyrën për të mos lejuar që vendi të qeveriset padrejtësisht”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›