E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton rezultatin e Tiranës, gati të certifikojë mandatet

09/07/2009  Skadon afati i ankimimit. Debate të ashpra mes Ristanit dhe Subashit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbylli me katër vota “pro” rezultatin e Qarkut të Tiranës dhe të Elbasanit sipas rezultateve të qendrave të votimit të numëruara në këto qarqe nga grupet e numërimit të votave. Nga 16 KZAZ që ka Qarku i Tiranës, përfaqësuesit e opozitës ngritën shqetësimin e tyre dhe kundërshtuan vendimmarrjen e KQZ-së për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për 5 KZAZ. Katër prej tyre nuk kishin tabelë përmbledhëse,ndërsa në njërën mungonte rezultati i një qendre votimit. “Kërkoj të mos miratohet tabela përfundimtare e Qarkut të Tiranës, pasi KZAZ-ja ka vepruar në mënyrë të hapur dhe qartë në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Për këtë arsye kërkoj që KQZ-ja të zgjidhë pikërisht këtë çështje, pastaj të marrë vendim për rezultatin. Po ashtu KQZ-ja nuk është kompetente për ta miratuar tabelën, sepse i referohet nenit 35, pika 5 të Kodit Zgjedhor, i cili thotë se mungesa e një vendimmarrje në KZAZ merret në kompetencën e KQZ-së vetëm në rastet kur KZAZ-ja i jep kompetencën KQZ-së për të marrë vendimmarrjen e munguar të KZAZ-së”, - tha nënkryetarja e KQZ-së Dëshira Subashi. Përballë këtij arsyetimi ka reaguar anëtari tjetër i KQZ-së Klement Zguri, që sqaroi se KQZ-ja po ndjek të njëjtin standard. “Tabelat që janë me vendim të KZAZ-së po miratojmë, pra ato që kanë kaluar me 7 firma të plotësuara nga KZAZ-ja. Kështu që nuk ka asgjë për të dyshuar këtu”, - tha ai. Ndërkohë nga 6 KZAZ-të e Qarkut të Elbasanit opozita kontestoi vendimmarrjen e KQZ-së për KZAZ-në nr. 16, e cila nuk kishte marrë vendim për rezultatin e kësaj ZAZ-je. Pavarësisht debateve pas verifikimeve dhe korrigjimeve të nevojshme nga administrata e KQZ-së të tabelave përmbledhëse të paraqitura nga çdo KZAZ e kryeqytetit, KQZ-ja miratoi në dy mbledhje të ndryshme rezultatet përfundimtare zgjedhore për dy qarqet. Sipas rezultateve të miratuara dje për zgjedhjet e 28 qershorit, në Qarkun e Tiranës PD-ja fitoi 15 mandate, PS-ja fitoi 15 mandate dhe nga një mandat LSI-ja dhe PR-ja. Ndërsa në Elbasan dy koalicionet janë ndarë me numër të barabartë mandatesh - nga shtatë.

Ndarja e mandateve

Skadimi i afatit triditor që subjektet zgjedhore kishin në dispozicion për të ankimuar rezultatet e Kukësit dhe të Korçës, ka bërë që KQZ-ja të hartojë projektvendimet për shpalljen përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve në këto qarqe. Mirëpo futja e tyre në rendin e mbledhjes së pasdites ka konfliktuar palët. “Meqë isha unë që e kërkova shtyrjen, jam në të drejtën time dhe këtu mund të kërkoj dhe ndihmën e Njaziut, i cili besoj se i ka ato aftësi, pasi mund ta ketë bërë dhe vetë atë akt që po na paraqitet”, - tha nënkryetarja Subashi. Për këtë kryetari Ristani e ka akuzuar atë se për të disatën herë po provokon KQZ-në. “Ky është një provokacion shumë i rëndë ndaj KQZ-së dhe është në vazhdën e përpjekjeve tuaja për të denigruar procesin zgjedhor dhe punën e KQZ-së. Jam i detyruar t’ju vë në dukje se do të bënit mirë të ndiheshit pjesë e këtij komisioni, i cili ka marrë vlerësimet e duhura dhe shumë të mira në vazhdimësi nga të gjithë ata që monitorojnë procesin zgjedhor”, - tha Ristani.

Rezultatet në qarqe

PS dorëzon në KQZ ankmimin për Fierin

Partia Socialiste ka nisur dorëzimin e kërkesave ankimore pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit për disa qarqe. Dje ajo ka dorëzuar në orët e vona të natës animimin për kutitë e Fierit, ccështje që hapi jo pak debate në Komisionin qendror të zgjedhjeve. Nga ana e saj PS që nga marrja e vendimit kishte tre ditë kohë, pra sot në orën 24.00 i përfundonte afati për të kryer këtë proccedurë. Referuar vendimmarrjes së djeshme të KQZ-së për Tiranën, do të ankimojnë rezultatin në KZAZ-të 46, 51, 54, 58 dhe 60, pasi nuk kishin dhënë vendim për procesverbalet. Në këto komisione zonale përfshijnë Kombinatin dhe Paskuqanin, dy zonat e fundit ku u mbyll numërimi. Po dje përfaqësues të saj deklaruan se ankimime do të ketë edhe për rezultatin në Qarkun e Beratit, ku kërkojnë rivlerësimin e 3000 fletëve të shpallura të pavlefshme. Për Qarkun e Korçës, Kukësit, Vlorës dhe Lezhës, që u ka skaduar afati i ankimimit, KQZ-ja do të miratojë sot rezultatet përfundimtare, duke përcaktuar edhe mandatet që i takon secilit koalicion në varësi të votave të marra më 28 qershor. Gjithsesi, ankimimit nuk përfundon këtu. Kodi Zgjedhor parashikon ankimim ndaj rezultatit përfundimtar të KQZ-së brenda 5 ditëve në Kolegjin Zgjedhor. “Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit të Tiranës kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm. Të drejtën e ankimit e kanë edhe individët ose partitë politike të cilave u është refuzuar kërkesa për regjistrim si subjekt zgjedhor”, - thuhet në nenin 145 të Kodit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›