E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: Kërkesat e opozitës nuk cenojnë vendimet e Kolegjit Zgjedhor

16/02/2010 Socialistët argumentojnë objektin e hetimit të zgjedhjeve

Socialistët ngulmojnë në kërkesën e tyre për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, ku natyrisht përfshihet hapja e kutive të votimit. Madje, si për t’i mëshuar çdo ditë e më shumë një momenti të tillë, përfaqësuesit e PS-së nuk ngurojnë që për çdo ditë të argumentojnë si të drejtë kushtetuese kërkesën e tyre. Kështu, deputeti socialist Namik Dokle, gjatë një deklarate për shtyp bëri me dije lidhur me objektin e komisionit hetimor që kërkon të ngrejë opozita parlamentare. “Objekti, gjetjet dhe raporti i komisionit hetimor të kërkuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë nuk synojnë ndryshimin, rishikimin apo modifikimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor, vendim i cili është përfundimtar e i formës së prerë dhe i njohur me të gjitha efektet juridike prej nesh, duke pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe duke mos kërkuar ndryshimin e tij në tryezë”, vuri në dukje Dokle. Sipas tij, objekti i shqyrtimit gjyqësor të Kolegjit Zgjedhor ka qenë krejt i ndryshëm nga objekti i hetimit parlamentar të kërkuar nga Partia Socialiste. “Përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar që duan të ngrenë deputetët socialistë ka lidhje me çështje të tilla, si: mungesa e zbatimit të ligjit gjatë numërimit të votave, shkeljet flagrante gjatë votimit në QV, mangësi në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit të procesit e të numërimit të votave, përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor”, u shpreh Dokle, duke shtuar në këtë listë të objektit të hetimit dhe “presionin shtetëror ndaj punonjësve për efekte elektorale, lejet e përkohshme gjatë fushatës për personat e dënuar për vepra penale etj”. Në gjykimin e socialistëve, ky objekt është në përputhje me parimet kushtetuese të mishëruara edhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese mbi ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. “Ky objekt, që ka të bëjë me transparencën si element kyç i demokracisë, mbështetet dhe në përvojat demokratike në SHBA, Itali, Rumani, për të mos përmendur dhe Afganistanin. Ne shprehim dhe një herë vendosmërinë e Partisë Socialiste dhe të opozitës në kërkesat tona të drejta, legjitime, kushtetuese dhe mbrojtëse të votës së lirë e të vullnetit të paprekur të zgjedhësve”, deklaroi Dokle.

Kushti

Partia Socialiste ka bërë publike prej kohësh kërkesën e saj të patjetërsueshme për hapjen e kutive të votimit, si e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës politike në vend. Madje, një qëndrim i tillë u ritheksua dhe në negociatat mes PD-PS te Presidenti Topi, kërkesë kjo që do të vijojë të jetë prezente dhe në tryezat e radhës mes palëve. Ndërkohë që po gjatë ditës së djeshme, socialistët i bënë thirrje Partisë Demokratike, Qeverisë dhe posaçërisht Kryeministrit të reflektojnë në kohën e duhur, pa vonesë dhe me seriozitetin që duhet të ketë mazhoranca e një vendi anëtar i NATO-s dhe aspirant i BE-së. “Asnjëherë dhe askush nuk do të mundë te fshehë të vërtetën e zgjedhjeve. Asnjëherë dhe askush nuk do të mundë të përsërisë më manipulimin e 28 qershorit”, u shpreh Dokle. Sipas tij, që në takim e parë ra alibia kryesore dhe e vetme e Partisë Demokratike dhe e Qeverisë për moslejimin e një hetimi të plotë dhe të pakufizuar. Kjo, pasi alibia se hapja e kutive prek pavarësinë e gjykatave u shkërmoq.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›