E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kompensimi i ish pronarëve, rregulla të reja

16/02/2010 Komisioni i Ligjeve diskuton projektin, kreu i AKKP-së propozon ndryshime

Fondi special do të përdoret edhe për subjektet që përfitojnë kompensim fizik

Ish-pronarët do të kenë mundësinë të kompensohen financiarisht për pronat e tyre jo më dy herë në vit, por sa herë që të ketë fond të mjaftueshëm për shlyerjen e detyrimeve që ka shteti edhe ndaj një subjekti. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa, pas pjesëmarrjes në komisionin e Ligjeve, i cili miratoi projektin “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, renditi risitë e projektit. “Tashmë është eliminuar ngërçi apo frika e djegies së fondeve në fund të vitit buxhetor. Me këtë ligj, fondet që nuk përdoren brenda vitit kalendarik vazhdojnë të akumulohen në fondin special dhe bëjnë të mundur që AKKP-ja t’i përdorë në çdo kohë këto fonde”, tha ai. Kreu i AKKP-së tha se nuk ka një datë të caktuar se kur do të përfundojë kompensimi financiar, dhe afati i fundit do të lidhet ngushtë me kohën kur subjekti i fundit të marrë atë çka i takon. Gjatë një prononcimi për mediat, ai sqaroi se ndryshimi ose jo i kufirit për kompensimin financiar do të jetë kompetencë e Qeverisë dhe përcaktim ligjor i një VKM-je organike, e cila del e përvitshme. “VKM-ja organike akoma nuk është paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë për fondin e këtij viti. Fondi për këtë vit është 700 milionë lekë dhe është 100 milionë më i madh se viti i kaluar. Aplikimet fillojnë në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit”, sqaroi Çefa. Lidhur me ankesat ndaj vendimeve të institucioneve për çështjen e pronave, të cilat kapin shifrën e rreth 8 000 të tillave, drejtuesi i AKKP-së sqaroi se ato do të administrohen me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligjin e AKKP-së dhe do të fillojë menjëherë trajtimi i tyre fillestar. Trajtimi do të fillojë nga kërkesat e depozituara më herët. Gjatë mbledhjes së djeshme, komisioni i Ligjeve miratoi projektin në fjalë dhe ia dërgoi atë për miratim seancës parlamentare. Sipas tij, AKKP-ja legjitimohet në pasurimin e vazhdueshëm të fondit të kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuara jo vetëm me fondin që buxheti i shtetit vë në dispozicion vit për vit, por dhe me të ardhura nga donatorë të tjerë, me të ardhura nga shitjet apo privatizimet e pronës shtetërore, me të ardhura nga vetë procesi që AKKP-ja zhvillon në kohë.

Parashikimet

Qeveria shqiptare ka parashikuar si të ardhura për kompensimin në vlerë të pronarëve nga 1.4 miliardë lekë për të katër vitet e ardhshme. Sipas vendimit “Për miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal, për periudhën 2011-2013”, treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar për zërin “Të ardhurat për kompensimin në vlerë të pronarëve” shënojnë për secilin vit 2010-2013 nga 1.4 miliardë lekëve, që në total shkojnë në 5.6 miliardë lekë.

Shpërndarja e fondit

Këshilli i Ministrave miraton shumën në dispozicion të pronarëve që kanë fituar të drejtën për shpërblim në përputhje me ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje dhe shtrirjen kohore të përfitimit të saj. Pjesa e mbetur e fondit përdoret për kompensimin e subjekteve të shpronësuara, sipas ligjit të pronës në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit, në varësi të të ardhurave. Modalitetet për mënyrën apo radhën e shpërndarjes së fondit do të përcaktohen nga Ministria e Financave.

Ndryshimi i ligjit

Nga fondi special i kompensimit të pronave nuk do të përfitojnë vetëm ato subjekte që kanë fituar të drejtën e kompensimit financiar, por edhe ato që kanë fituar të drejtën e kompensimit fizik. Ky saktësim ligjor u bë nga komisioni i Ligjeve, pas ndërhyrjes së kreut të AKKP-së. “Kur përcaktojmë ‘kompensim financiar” kufizojmë ata ish-pronarë, të cilët mund të kenë fituar të drejtën për një lloj tjetër kompensimi, p.sh. fizik”, tha Çefa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›