E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e komunizmit sjellin OKB në Shqipëri

16/02/2010 Misioni do të marrë kontakte me personalitete të larta të Qeverisë

Ashton Philips do të bëjë hetime kryesisht në Tiranë dhe Shkodër

Zbulimi i një varreze masive me eshtra në periferi të Tiranës, duket se ka tërhequr vëmendjen e OKB-së, e cila ka dërguar në Shqipëri një mision hetimi në lidhje me krimet e komunizmit. Misioni do të kryesohet nga eksperti për të drejtat e njeriut Ashton Philips, dhe do të kryejë hetime kryesisht në zonën e Tiranës dhe Shkodrës. Misioni do të operojë në Shqipëri, prej datave 16 deri më 23 shkurt, ku gjatë kësaj kohe do të marrë kontakte dhe me përfaqësues të lartë të Qeverisë, si: ministrin e Drejtësisë, ligjvënës, apo edhe me krerë të shoqatave të ish-të përndjekurve të diktaturës. Kjo është dhe vizita e parë zyrtare e një raporteri të posaçëm të OKB-së, për hetimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Më 23 shkurt, Ashton Philips do të dalë në një konferencë të posaçme për shtyp, ku mendohet të japë dhe disa nga konkluzionet e hetimit, i cili do të përfshijë dhe çështjen e gjakmarrjes në veri të vendit.

Por në misionin e tij faktmbledhës, Ashton Philips, i cili ka një eksperiencë të gjatë në raportimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut, do të shohë edhe në lidhje me masat që janë marrë për dënimin e autorëve që kanë kryer këto krime. Përgjatë vizitës së tij, ai do të marrë kontakte dhe me familjarë të viktimave të regjimit komunist, ku do të shohë mënyrën se si është proceduar për ekzekutimin e tyre, megjithëse edhe në atë kohë Shqipëria ka qenë firmëtare e Konventës së të Drejtave të Njeriut, konventë që natyrisht nuk u zbatua kurrë nga regjimi komunist. Të gjitha të dhënat dhe përfundimet do të hidhen në një raport, që do t’i paraqitet më pas Komitetit për të Drejtat e Njeriut në OKB. Mendohet se si pasojë e gjyqeve farsë të diktaturës në Shqipëri të jenë ekzekutuar më shumë se 5600 persona, ndërsa 400 mijë të tjerë janë dërguar në burgje dhe kampe përqendrimi për gati gjysmë shekulli. Një shifër kjo tepër e madhe në raport me popullsinë, e cila asokohe nuk i kalonte më shumë se 2.5 milionë banorë. Dënimi i krimeve të komunizmit, në respekt të viktimave të asaj kohe, është kërkuar dhe nga Këshilli i Evropës, i cili ka miratuar një rezolutë për këtë qëllim.

Eshtrat

Vetëm pak ditë më parë, në dalje të Tiranës, në vendin e quajtur Qesarakë, u zbuluan rreth 19 eshtra të pushkatuarish ndër vite në këtë zonë. Eshtrat u zbuluan falë iniciativës private të ndërmarrë nga i biri i një prej të pushkatuarve të regjimit. Ndërkohë që mendohet se varre të tilla ka nëpër të gjithë vendin, por asnjëherë nuk është ndërmarrë një iniciativë qeveritare për gjetjen e tyre. Rreth 400 eshtra, që janë gjetur në 20 vjet, u përkasin të gjitha iniciativave private të familjarëve të viktimave të të pushkatuarve, kundërshtarë të regjimit.

Instituti

Ngritja e një instituti për verifikimin dhe hetimin e krimeve të komunizmit ka kohë që diskutohet në ambientet politike dhe mediatike të vendit. Por vetëm kohët e fundit, Kryeministri Sali Berisha është shprehur se ngritja e një institucioni të tillë do të bëhet realitet shumë shpejt. Në fakt, projektligji i është dërguar Kuvendit që para një viti, por miratimi i tij kushtëzohej fort nga ligji për lustracionin, i cili u zvarrit për thuaj një vit në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese. Gjithsesi, pavarësisht se ligji i lustracionit u refuzua, Berisha deklaroi se instituti do të ngrihet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›