E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët dhe betimi i Hipokratit

Pacientë që shajnë, rrahin e në disa raste edhe gjuajnë me thikë pas shpine mjekët. Të tjerë që japin ryshfete, se kështu u ka thënë një pjesë e shoqërisë, se janë mirënjohës, apo se janë të bindur se vetëm kështu mund të përfitojnë shërbim të mirë shëndetësor. Nga ana tjetër, mjekë me përvojë, që i kanë kushtuar vitet më të bukura të jetës formimit, të tjerë që kanë fituar "maturën shtetërore", disponojnë një diplomë dhe një luftë e ftohtë mes këtyre "klasave", mes poltikëbërësve, vështirësive dhe mungesave elementare në mjekësi. Nga krahu tjetër, politikanë të ngjyrave të ndryshme që kërkojnë të spostojnë vëmendjen nga përvetësimet e tenderave të fituar në korrupsionin e 2 mijë lekëshave të infermierëve në rrethe. Por jo vetëm kaq, pas ngjarjes së goditjes me thikë të kardiokirurgut Ali Refatllari, një pjesë e mjekëve janë acaruar sepse ndihen të papërfaqësuar, të pambrojtur, të rrezikuar nga psikopatët apo sociopatët, siç i quajnë ata. Punonjësit e spitalit "Nënë Tereza" ndihen të rrezikuar nga ngjarje të tjera, ndërsa pacientët ndihen të pafuqishëm për të luftuar nën "mburojën" e betimit të Hipokratit.

Në një FORUM, gazeta "Shqip" pasqyron mendimet e profesorëve më të vjetër të spitalit më të madh të vendit, të cilët sqarojnë se cila është fytyra që duhet të ketë një mjek, cila është detyra që ka politikëbërja dhe si duhet të jetë sjellja e opinionit publik ndaj mjekut. Mjekët, Ahmet Kamberi, Flamur Tartari japin opinionet e tyre për ngjarjen e disa ditëve më parë në QSUT, problemet me të cilat punojnë mjekët dhe tregojnë se si duhet të filtrohet informacioni që merret dhe jepet në shoqëri, për të kategorizuar mjekët në profesionistë apo marrës të diplomës.

Ahmet Kamberi, mjek nw klinikwn e Kardiologjisw, QSUT

1. Cili është mjeku, figura e mjekut?

Mjeku është i vetmi person i pajisur me dijet e nevojshme shkencore e profesionale, për të njohur sëmundjet e problemet e tjera shëndetësore, për t‘i mjekuar dhe për t‘i parandaluar ato. Atij i duhen 18 vjet shkollë për t‘u formuar si i tillë dhe për t‘u bërë specialist në një fushë të caktuar duhet t‘i shtojmë kësaj 7 deri në 8 vjet të tjera. Këto përfaqësojnë edhe vlerën e tij si kapital njerëzor. Mjeku është pra ai shenjt që u gjendet njerëzve në momentin e kërkuar, kur vihet në pyetje jeta ose shëndeti i tyre. Kjo është arsyeja kryesore që e ka bërë atë një figurë të nderuar dhe të dashur në të gjitha kohërat. Si në kohërat e vjetra, kur ai kishte pak në dorë për të ndihmuar, ashtu edhe në kohën e sotme, kur ai ka në dispozicion mjete të shumta për të shpëtuar jetën, për të përmirësuar shëndetin dhe për të treguar rrugën se si ruhet dhe mbrohet shëndeti dhe jeta,

mjeku është figura qendrore e mjekësisë. Siç e kam thënë në intervistën e mëparshme, pa mjek nuk ka mjekësi. Kjo duhet kuptuar se pa mjekësi jemi jashtë çdo mbrojtjeje për shëndetin dhe për rreziqet e jetën nga sëmundjet, aksidentet etj. Kjo është e mjaftueshme për të menduar qoftë edhe për një çast të vetëm se çdo të thotë mjek dhe këtë duhet ta bëjmë, të paktën, në ato momente të vështira kur na lëkundet besimi tek ai, për të mos i lejuar vetes veprime të padenja.

Duke iu referuar ngjarjes së djeshme, cilat janë arsyet që çojnë në veprime të tilla?

Ky është një problem shumë kompleks. Edhe në Shqipëri, si në çdo vend tjetër, mjeku ka qenë një person shumë i nderuar dhe i dashur, por në kohën e sotme kjo gjë ka ndryshuar. Pse ka ardhur ky ndryshim? Mund të rendis një numër arsyesh, të cilat lidhen me mënyrën e formimit të mjekut, me keq qeverisjen e sistemit shëndetësor, me keqfinancimin e këtij sistemi, si dhe me psikologjinë e përgjithshme të rrezikshme të krijuar nga të gjitha këto së bashku, përfshirë edhe mediat. Pra, problemi kryesor që ka ndikuar dhe ndikon në krijimin e një psikologjie të përgjithshme të rrezikshme për vlerësimin e mjekut dhe të mjekësisë lidhet me të gjitha llojet e dështimeve të qeverisjes, si në kuptimin administrativ, në kuptimin e financimit, ashtu edhe në kuptimin politik. Për çdo rast dështimi, zgjidhja më komode ka qenë kurdoherë fajësimi i mjekut. Në grackën e këtyre dështimeve kanë rënë dhe mediat, të cilat e kanë marrë gratis këtë formulë pa u thelluar t‘i hulumtojnë edhe vetë shkaqet, ose të marrin kurajën të thonë atë që dinë. Sigurisht që për këtë duhet të marrin në sy rrezikun. Por ndryshe nuk bëhet. Këto janë arsyet e vërteta që kanë çuar në shfigurimin e mjekut, për të cilin mban edhe ai pjesën e vet të fajit. Mjerisht në sytë e një numri njerëzish të paformuar mirë, të paditur ose keqdashës, mjeku të përfytyrohet si një kriminel ordiner.

Qytetarët nuk e dinë se nëse në spital mungojnë mjetet më të domosdoshme të mjekimit të tyre, kjo nuk është për faj të mjekut. Në qoftë se në spital nuk ka detergjente të mjaftueshme për të pastruar mjedisin, kjo nuk është për faj të mjekut. Në qoftë se mungojnë pajisjet e nevojshme për të kryer diagnostikimin deri edhe të sëmundjeve më të zakonshme, kjo nuk është për faj të mjekut. Në qoftë se mjekët s‘kanë me se të lajnë duart gjatë procesit të punës, kjo sigurisht që s‘është për faj të tyre.

Në qoftë se qytetarit të çfarëdoshëm për të marrë ndihmën më elementare mjekësore do duhet t‘i drejtohet urgjencës së Qendrës Spitalore ose spitaleve në përgjithësi, kjo nuk është për faj të mjekut. Në qoftë se të sëmurit i privohet marrja e barnave të provuara shkencërisht si të domosdoshme për parandalimin e rreziqeve nga sëmundja që ka, kjo nuk është për faj të mjekut. Në qoftë se në mjediset e jashtme të një spitali, si ai i QSUT, ngrihet një park gjigant makinash dhe lejohen klube e kafene si në lagjen e Bllokut, duke u dhënë atyre edhe mjedise brenda spitalit, kjo sigurisht që nuk është për faj të mjekut.

Atëherë faji i kujt është?! Atëherë qytetari, shtetari, politikani dhe gazetari duhet të kuptojnë se kryerja me dinjitet e detyrës së mjekut varet nga vënia në dispozicion të tij e mjeteve të domosdoshme (barna, mjete mjekimi, mjete diagnostikimi, mjedise të përshtatshme e çdo gjë tjetër e nevojshme. Në këtë rast, kujtdo i lind e drejta t‘i kërkojë atij shpjegime e llogari deri në hollësitë e profesionit. Buxheti i vendit mund të jetë i varfër, por ai varfërohet në mizerabilitet nga keqqeverisja dhe sigurisht që nuk mjafton për të bërë ato që duhet. Kjo mund të ndreqet nëse drejtuesit e të gjitha niveleve në sistemin e shëndetësisë, por jo vetëm ata, të kenë një kuptim të qartë për shëndetin individual dhe shëndetin publik, si dhe për rëndësinë e tij në procesin e prodhimit. Por don edhe një vullnet politik pa ngjyra e ngjyresa. Kjo kërkon gjithashtu që mediat, të cilat kanë një fuqi e opinion formues të pashoq, t‘i drejtohet problemit drejtpërdrejt atje ku ka burimin dhe jo pasojës. Fajësimi i mjekut për të gjitha pakënaqësitë ndaj kujdesit mjekësor është një sulm i rrezikshëm ndaj mjekësisë, për të cilën, cilido në një moment të caktuar të jetës së vet do të ketë nevojë.

Përse mjekët akuzohen gjithmonë e më shumë për ryshfete? Si duhet ta zgjidhë këtë pacienti?

Mjeku është njeri si gjithë të tjerët dhe është i prekshëm nga të gjitha sëmundjet, si të tjerët. Në kushtet e një mjekësie të keqqeverisur në mënyrë të pashembullt dhe të gjithë atyre që unë përmenda më lart, njerëzit përpiqen t‘i zgjidhin problemet e tyre në rrugë krejtësisht jo normale. Unë mund të dalloj 3 kategori qytetarësh që ushtrojnë presion mbi mjekun: kategoria e parë, janë ata që kërkojnë të përftojnë diçka në mënyrë të pamerituar duke përdorur ofrimin e parave. Kjo është një kategori e rrezikshme, e cila bën të njëjtën punë në të gjitha fushat e jetës sociale e politike. Kjo është ajo kategori që ushqen korrupsionin në të gjitha qelizat e jetës sociale e politike të vendit. Midis këtyre, përsëri duhet bërë një dallim i asaj pjese njerëzish që e bëjnë këtë jo për të përfituar diçka që nuk e meritojnë, por për të përfituar diçka tjetër që është e mangët dhe pamjaftueshme për të gjithë në sasi, në cilësi ose në kohë.

Kategoria e dytë përbëhet nga ata njerëz të cilët janë mirënjohës për shërbimin që u bëhet dhe nuk dinë ta shpërblejnë në mënyrë tjetër këtë mirënjohje, përveçse duke ofruar para.

Kategoria e tretë, janë viktimat e opinionit që thotë: "Nuk mund të përfitosh asgjë pa dhënë para".

Dhe mjerisht këta e bëjnë këtë punë me këmbëngulje të tillë, të cilës nuk mund t‘i shpëtojnë jo vetëm mjekët e rinj që paguhen në mënyrë më pak se modeste, por edhe mjekët e vjetër, me një formim relativisht të shëndoshë.

Si shpëtohet mjeku nga ky rrezik? Ka tri mënyra kryesore: së pari duhet rregulluar qeverisja e shëndetësisë. Në të gjitha nivelet e drejtimit duhet të ketë njerëz me formim të plotë për kuptimin e shëndetit individual dhe shëndetit publik, të paktën në nivelin e atyre që kanë nën drejtim. Së dyti duhet të bihet dakord që shëndetësia të financohet në mënyrë të arsyeshme. Kjo do të thotë në mënyrën më të mirë të mundshme. Nga ana tjetër, mjekët e personeli mjekësor të paguhen në mënyrë të hijshme, ashtu si e meriton detyra fisnike që kryejnë.

Së treti, duhet bërë çdo përpjekje që Fakulteti i Mjekësisë të prodhojë mjekë e jo diploma. Kushtet e mësimdhënies në këtë fakultet janë larg çdo mundësie për një formim të shëndoshë të mjekëve të rinj. Një kontribut për këtë e kanë sigurisht dhe një numër prindërish, të cilët janë të interesuar në radhë të parë për diplomën dhe jo për formimin profesional dhe shkencor të fëmijëve të tyre.

Kushdo ka të drejtën t‘i kërkojë mjekut të jetë në nivelin më të lartë që lyp detyra e tij, por kushdo duhet të jetë i qartë se mjeku mund ta kryejë atë më së miri vetëm në kushte dinjitoze.

2.

Flamur Tartari, kirurg në shërbimin e Urologjisë, QSUT

Cili është mjeku, figura e tij?

Çdo mjek e ka të ngulitur në tru që duhet të luftojë vdekjen. Duke u nisur nga kjo, mjeku merr fuqi dhe përpiqet me domosdo të sjellë në jetë pacientin, ta shërojë atë apo të përmirësojë gjendjen e tij shëndetësore. Mjeku është human, është njerëzor. Ky është mjeku dhe jo ai që përshkruajnë disa njerëz të cilët e kanë zemrën më të vogël se të bretkosës, e pavarësisht kësaj guxojnë të quajnë mjekun kriminel. Kaq mjafton për njerëzit e paformuar dhe të paditur për të krijuar një psikozë mbi figurën e mjekut. Ka dhe përjashtime dhe atyre duhet t‘u tregojmë vendin, por njerëz të cilët e cilësojnë mjekun si kriminel nuk janë asgjë tjetër veçse me një shpirt të vogël. Në rast se mjekët sakrifikojnë ashtu si në vitin ‘91 ‘97, ‘99 apo në rastet si Gërdeci e të tjera si këto, duhet të vlerësohen për punën dhe detyrën e tyre. Shpesh herë na thonë s‘ka si ju që të punojë ditën me vështirësi e në natë mundimesh. Por jo vetëm kaq, pakkush e di që ka nga ata mjek, anestezistë, kirurgë, që kanë dhënë gjak për pacientin e më pas e kanë operuar dhe kanë vazhduar punën gjatë orëve të tjera. Ka nga ata që kanë humbur jetën në detyrë, mjekët punojnë me përkushtim, me humanizëm dhe devotshmëri. Puna e mjekëve frymëzoi edhe popullin, i cili në tragjedi si ajo e Gërdecit, mblodhi qindra qytetarë për të dhuruar gjak jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. Historikisht mjekësia është një nga disiplinat më të lashta të një kombi dhe është aq e vjetër, sa vetë ai. Virtyti më i mirë i një mjeku është shërbimi ndaj të sëmurit. Mjeku historikisht ka gëzuar një autoritet dhe privilegj të madh në popull. Ilirët, romakët dhe helenët e vjetër misionin e mjekut e konsideronin të shenjtë dhe humanizmin e tij ata e shprehnin me ndihmën e madhe që duhet t‘i jepnin këta mjekë të sëmurit. T‘i shërbesh njeriut është një detyrë që i ke vënë vetes dhe ke bërë betimin e Hipokratit, sepse mendja dhe zemra e mjekut gjithmonë ka punuar për lumturinë e njeriut, për të shëruar dhe lehtësuar dhembjen fizike dhe vuajtjet shpirtërore të njeriut nga sëmundjet e ndryshme, nga traumat dhe streset e përditshme. Mjeku punon dhe jeton midis njerëzve, bashkëbisedon, këshillon dhen mëson prej tyre, ai është edukator i pashpallur, por misioni i tij siç e thashë më sipër është pasqyruar në betimin që ai ka bërë për të qenë mjek në betimin e Hipokratit. Mjeku është norma më e arsyeshme morale e një njeriu, me një fytyrë të mbushur me rrudha mendimesh nga dhembshuria që ka për njerëzit e për të sëmurët. Por në të njëjtën kohë ai duhet të punojë me ndershmëri që të sigurojë dhe të gëzojë respekt në popull.

Si duhet ta kryejë detyrën mjeku?

Detyrën e tij mjeku duhet ta kryejë me ndershmëri, korrektësi, dhe përkushtim, duhet të respektojë vartësit e tij, t‘i dëgjojë ata, t‘i këshillojë, por edhe të përfitojë prej tyre. Duke qenë një bashkëpunim i tillë, do të përfitojë i sëmuri që është qëllimi final i veprimtarisë së mjekut dhe personelit shëndetësor. Autoriteti shkencor i tij fitohet vetëm me punë, studim dhe përkushtim ndaj shkencës dhe të sëmurit. Dashuria për librin, studimin, eksperimentin, debatin shkencor, vrojtimin ose observimin e rasteve të shumta dhe të veçanta për sëmundje të ndryshme, duhet të jenë ambicia kryesore e çdo mjeku në dobi të popullit. Figura e mjekut kërkon edhe një kulturë artistike, ku ai të dojë artin, muzikën, pikturën e shumë e shumë të tjera, të njohë më mirë të mirat e jetës.

Kush e ka fajin që të afërmit e pacientëve shkojnë deri në këtë pikë?

Në mjekësi jo çdo gjë shkon vaj, sepse mjekësia nuk është një kopsht, ka komplikacione, varet nga individualiteti i të sëmurit, do të thotë mënyra se si reagon dhe si u përgjigjet trajtimeve.

Të sëmurët me veshka, me zemër, apo edhe pacientët me sëmundje në kokë, janë sëmundje specifike që mund të paraqesin komplikacione.

Kirurgu e bën punën me ndërgjegje. Historia, çdo familje e shuan mjekun si person të nderuar e të respektuar. Pas nënës, mjeku zë vendin e dytë. Asnjëherë nuk duhet të vendosim peshën nga anët negative të mjekëve që bëjnë përjashtime. Duhet të vlerësojmë figurën e mjekut. Por përse vijnë të gjitha këto?

Dua të theksoj këtu rolin e medias, në disa raste ajo nxjerr anët negative pa u thelluar. Media informon dhe formon opinionin publik. Ne shumë shpejt do të realizojmë transplantin e veshkave. Në vitin 1990 isha në spital në Holandë, asistova gjatë dy transplanteve të veshkave. Njëri prej pacientëve reagoi shumë mirë, ndërsa tjetri shfaqi të nesërmen trombozë. Në shëndetësi kemi suksese, por kemi dhe komplikacione. Çfarë duhet të bëjmë tani? Duhet t‘ia hedhin fajin mjekut?

Si mund të parandalojmë ne të tilla fatkeqësira?

Pse në stadiumet angleze nuk futet asnjë tifoz në fushë? Pas një ngjarjeje tragjike u vendos që nëse tifozët do të kalonin në fushë, atëherë nuk do të kishte asnjë proces gjyqësor për ta, as avokatë mbrojtës. Asokohe u nxor dënimi i menjëhershëm me burgim. Frika ruan vreshtin. Përse duhet të vriten policë, gjyqtarë, mjekë dhe më pas e shikon kriminelin në bulevard? Mendoj se duhet një ligj i veçantë për statusin e mjekut, sepse mjeku është i barabartë me institucionin. Nuk ka mjek që i bën keq pacientit. Por dua të theksoj këtu që problemet nuk duhet të evidentohen kur ndodhin fatkeqësi, por të parandalohen dhe të shqyrtohen me seriozitet para se të ndodhin gjëra të tilla. Para shumë vitesh në Kavajë humbi jetën një grua, sepse nuk gjendej një ambulancë. Pasi ajo vdiq, u soll ambulanca. Me këtë dua të them se edhe media duhet të ketë kujdes në drejtimin e paraqitjes së figurës së mjekut. Sigurisht ka edhe përjashtime, por vendi ynë mund të përmendë një armatë të madhe mjekësh. Një thënie e Menadusit thotë se "që të jesh mjek, në radhë të parë duhet të jesh njeri". Është e bukur për njeriun të jetë njeri. Dihet se plejada e mjekëve dhe e personelit mjekësor punon me vetëmohim, humanizëm, me vështirësi, por dashakeqësit duan ta zbehin punën e tyre. Rasti më i fundit që tregoi gatishmërinë e mjekëve ishte rasti i Gërdecit. Pa asnjë urdhër e udhëzim ata u paraqitën në punë 30 minuta pasi u bë publik lajmi. Kujtojmë gjithashtu që mjek si Sander Baloi, Zamir Shazi, Rushit Agalliu, kanë humbur jetën gjatë ushtrimit të detyrës si mjek.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›