E Shtunë, 31 Tetor 2026

KMCAP-i, aty ku njerëzit sfiliten për paratë e invaliditetit

Përmes një dere të hekurt hyn në sallën e errët. Në holl, dhjetëra fytyra të lodhura, të djersitura dhe stresuara, rrinë kokulur në pritje të radhës. Ata që janë më rëndë dhe nuk qëndrojnë në këmbë kanë zënë vend në stolin e drynjtë afër derës së komisionit. Është shumë errësirë, prandaj duhet të afrohesh për të folur me personin përballë. Emrija ka mbërritur në zyrat e KMCAP-it që në orën 8.00. "Emri në listë më ka dalë për në orën 11.15, por nuk ika më se e kam shtëpinë larg, më duhet të qëndroj këtu derisa të vijë radha", psherëtin ajo.

Zyra e KMCAP (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë) gjendet në mes të Tiranës. Është ndër objektet e vjetra të rrugës "Myslym Shyri", lënë në mëshirë të fatit. Një godinë pa dritare, pa ajër ku qindra vetë mezi marrin frymë teksa presin të dalin në komision. Kushte mizerabël "enkas" për ata që quhen shtresa në nevojë e shoqërisë.

Teksa tentojmë të hyjmë në zyrën e mjekëve hasim në rezistencën e një gruaje, që në fillim na u duk si roje, por më pas kuptuam se ajo ishte një ndër mjeket e ekipit. Sapo lë hollin që mban erë të rëndë dhe afsh të nxehtë, hyjmë në sallën ku qëndrojnë mjekët e komisionit. Janë plot pesë burra dhe gra që punojnë në një zyrë të vogël, të errët me pak ndryshim nga holli i hallexhinjve që lamë pas dere. Ata të pestë janë mjekë, edhe pse nuk të lënë këtë përshtypje, pasi vetëm firmosin e vulosin, ndërsa jemi mësuar t‘i shohim mjekët me bluza të bardha e stetoskop në qafë. Mjekët e KMCAP, marrin në komision çdo ditë afro 50 persona me aftësi të kufizuara. Një punë voluminoze kjo, që i bën ata të jenë here-herë të ashpër me pacientët e tyre të përhershëm. Zyra e komisionit ka vetëm një tryezë të madhe, një raft dhe disa karrige. Edhe tufën e madhe të dosjeve të mbushura me kartela, diagnoza, shifra, e emra.

Janë emrat e atyre të sfiliturve që presin në radhë për të marrë paratë e KMCAP-it. Teksa pyet mjekët se pse kjo radhë e gjatë pas dyerve, ata përpiqen të shmangin përgjegjësinë mes grupeve të punës. "Ne e mbaruam punën tonë, ky komisioni që po punon është i shërbimit social", thotë doktor Pasho, një ndër anëtarët e komisionit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Nga ana tjetër, doktor Besimi i mbytur në punë përgjigjet "po ne çfarë të bëjmë, dy ditë në javë jemi këtu për të komisionuar". Në bazë të një marrëveshjeje të pesë viteve më parë mes ish-drejtorëve të ISSH-së dhe SHSSH-së në këtë zyrë shqyrtohen dokumentet e personave me aftësi të kufizuara të sëmurë në punë dhe personave me aftësi të kufizuara të lindur.

Mbi 12 mijë persona me aftësi të kufizuara përfitojnë KMCAP në qytetin e Tiranës dhe për pasojë përplasen një apo dy herë në vit me derën e hekurt të zyrës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Theksojmë se zyra e KMCAP është e këtij instituti. Por falë bujarisë, ambientet përdoren dy ditë në javë edhe nga Shërbimi Social Shtetëror. Bujari që cenon interesat e 12 mijë personave që si pasojë e mungesës së ambienteve shtetërore rrinë gjithë ditën në radhë për të dalë në komision dhe për të marrë nga aty pensionin e invaliditetit.

Sipas mjekut Pasho Avdiu, anëtar i komisionit të ISSH-së për personat që janë bërë të paaftë në kushte pune, është caktuar një grafik me emrat e personave që thirren në komision në një ditë të caktuar. Ndaj edhe radha është e shmangshme nëse zbatohet grafiku i orareve. Ndërsa lidhur me kushtet, ai shprehet se "ambientet janë këto që shikoni...". Nga konstatimi ynë, shihen qartë se janë jo vetëm dy salla të vogla, por edhe pa dritë, të pista dhe parestauruara. Zyrat e KMCAP për qytetin e Tiranës janë krahasimisht të ngjashme me një sallë paraburgimi. Kjo birucë përballon punën e dy institucioneve. Kjo pasi në bazë të marrëveshjes, në këto ambiente mblidhet edhe komisioni mjekësor i ISSH-së dhe ai i SHSSH-së. I pari merret me personat me aftësi të kufizuara nga puna dhe i dyti me ata që janë të lindur persona të paaftë fizikisht apo mendërisht. Komisioni i SHSSH-së që është mysafir në këto ambiente, në bazë të marrëveshjes, duhet të punojë te këto ambiente vetëm ditën e premte. Por nga numri i madh i njerëzve, ata dalin në punë edhe ditën e shtunë.

Marrëveshja është lidhur mes Ilir Beqjes, ish-drejtor i ISSH-së dhe Natasha Hados, ish-drejtore e SHSSH dhe me sa duket është pëlqyer edhe nga drejtorët pasardhës të këtyre dikastereve. Fakti që prej pesë vitesh mijëra vetë sfiliten për të marrë pensionin e invaliditetit nuk i ka bërë përshtypje asnjë titullari në Ministrinë e Punës apo të Financave nga varen institucionet e lartpërmendura. Mbase kjo situatë është "normale" pwr ta.

Dokumentacioni për përfitimin

e pagesës për aftësi të kufizuara

Në bazë të ligjit, personat që kërkojnë të komisionohen për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, duhet të paraqesin në seksionet e ndihmës dhe të përkujdesjes shoqërore të bashkisë ose komunës, një sërë dokumentesh. Ato janë: certifikata e gjendjes familjare; certifikata personale me fotografi; vendimi i mëparshëm i KMCAP-it, i cili vërteton shkallën e aftësisë së kufizuar të personit; Fletëdrejtimin për në KMCAP, kur personi del në komision për herë të parë; epikrizën përcjellëse, sa herë rikomisionohet.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›