Dokle: Më 30 prill në Tiranë kundër mjerimit e grabitjes
Partia Socialiste zhvilloi dje protesta lokale në disa qytete të vendit. Banorë të Pukës u mblodhën dje përpara bashkisë, për të protestuar mbi harresën që u ka bërë Qeveria. Në protestën e organizuar nga Bashkia e Pukës, ishte i pranishëm dhe deputeti Namik Dokle, i cili tha se “Berisha e ka kthyer Pukën në kohën e poemës së mjerimit”. “Në qoftë se dikur Migjeni i madh këtu në Pukë thuri legjendën e madhe të misrit, Sali Berisha na detyron tani të flasim për një legjendë të preshit. Dhe një zë dëgjohet në Pukë, s’kemi punë e s’kemi bukë, s’kemi shtet e s’kemi ligj po bën Sala si Maliq”, u shpreh Dokle. Po dje, banorët e Orikumit të Vlorës protestuan para Bashkisë së këtij qyteti, ku bënë thirrje se kërkojnë pronat në bazë të ligjit 7501. Sipas banorëve, në Orikum është abuzuar padrejtësisht me pronat. Banorët u mbështetën dhe nga deputetë të Partisë Socialiste, Eltar Dede dhe Fatmir Toçi, të cilët vlerësuan se “tokat e bregdetit u zaptuan nga familja Berisha”. Tubimi është vëzhguar gjatë gjithë kohës nga një numër i madh policësh. Policia vlerëson se banorët nuk kanë marrë leje për protestën e sotme para Bashkisë së Orikumit. Po dje, Partia Socialiste zhvilloi një protestë dhe Krrabë, ku banorët bllokuan për rreth 40 minuta aksin Krrabë-Tiranë, në shenjë proteste ndaj Qeverisë. Sipas deklaratave të vetë banorëve, Qeveria nuk i ka mbajtur premtimet e bëra. Banorët akuzuan Berishën se premtoi gjatë fushatës ndërtimin e një rruge të re, por përsëri e gjithë zona dhe fshatrat e kësaj komune mbetën pa rrugë. Në protestë banorët shoqëroheshin edhe nga deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia, i cili ftoi banorët t’i bashkoheshin protestës së PS më 30 prill.