E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, PS do drejtimin e 4 komisioneve



BLEDAR HOTI

Partia Socialiste kërkon marrjen e drejtimit të katër komisioneve parlamentare në Kuvend nga tre që i janë lënë gjithsej. Kërkesa zyrtare është bërë dje nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, në mbledhjen e konferencës së kryetarëve. Sipas burimeve, mësohet se në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura, Ruçi ka paraqitur një ndër kërkesat e opozitës për marrjen e drejtimit në katër komisione parlamentare, nisur edhe nga raportet ndërmjet maxhorancës dhe opozitës në Kuvend, ku 65 deputetë ka PS-ja dhe PBDNJ dhe pjesa tjetër e 75 deputetëve u përkasin PD-së dhe aleatëve të saj. Nga tetë komisione që janë gjithsej, PS-ja kërkon të marrë drejtimin e katër prej tyre, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga ana e përfaqësuesve të maxhorancës në konferencë, si kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi. Përfaqësuesit e PD-sw qenë kundër ndarjes së barabartë të komisioneve, pasi kështu nuk respektohet raporti mes maxhorancës dhe opozitës. Sipas burimeve, mësohet se konferenca ka vendosur që të ndryshojë rregulloren e Kuvendit, për të shtuar në përbërje të tij një komision parlamentar, duke çuar në nëntë numrin. Mbi bazën e kësaj është vendosur që një nga komisionet aktuale që merret me disa çështje të ndahet më vete. Një zgjidhje e tillë është cilësuar edhe si e pranueshme, për faktin se aktualisht në tetë komisione ka mbipopullim të deputetëve si anëtarë, aq sa edhe hapësirat e ambienteve nuk janë të mjaftueshme. Opozitës i është lënë drejtimi i komisioneve të Integrimit, Shëndetësisë dhe Medias.
Kërkesat për hetimin e zgjedhjeve dhe Kodi Zgjedhor
Kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, në mbledhjen e djeshme të komisionit i kërkoi maxhorancës realizimin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, duke e cilësuar dhe si një kusht për zgjidhjen e krizës politike. Ndërsa përfaqësuesit e maxhorancës kanë deklaruar se komisioni hetimor është ngritur për të realizuar transparencën dhe se opozita duhet të plotësojë vendet e lëna vakant në këtë komision. Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e maxhorancës janë shprehur për bërjen transparente të zgjedhjeve, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë mbledhje, Kryetarja e Kuvendit u kërkoi kryetarëve të grupeve parlamentare të nisin sa më parë konsultimet mbi modalitet për të bërë ndryshimet e duhura në Kodin elektoral, bazuar në rekomandimet e raportit të OSBE-ODIHR-it. Një tjetër çështje e diskutueshme ka qenë edhe pretendimi i kreut të PS-së, Ruçi, për një përjashtim të padrejtë të deputetit Balla për dy javë nga pjesëmarrja e seancës. Kryetarja e Kuvendit u kërkoi kryetarëve të grupeve parlamentare që, në përputhje me rregulloren e Kuvendit të respektohet koha e diskutimeve në seancë plenare, e veçanërisht të tregohet kujdes ndaj etikës parlamentare. Konferenca miratoi kalendarin 3-javor të punime të Kuvendit për periudhën 12 prill-30 prill 2010. Në këtë kalendar është parashikuar miratimi i disa marrëveshjeve të paraqitura nga ana e Qeverisë, si “Për emetimin e Eurobondit”. Gjatë këtyre dy javëve është përcaktuar të mbahet raporti i Prokurorit të Përgjithshëm dhe të votohet rezoluta e Kuvendit për punën vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndërsa mësohet se nuk është përcaktuar një datë fikse se kur do të votohet në seancë për çështjen e raportit të Prokurorit të Përgjithshëm. Fillimisht raporti do të diskutohet në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe më pas do të hartohet rezoluta për punën e kryer gjatë vitit 2009. Sipas burimeve, Prokuroria e Përgjithshme ka si afat datën 19 prill për ta paraqitur në Kuvend.

Shtyhet gjyqi i “Ruzhdies”

Seanca e parë e dosjes “Ruzhdie” është shtyrë për në 26 prill. Gjyqtari Roland Jaupaj ka pranuar kërkesën e palëve për të siguruar mbrojtjen me avokat, pasi sot asnjëri prej komisionerëve nuk kishte një të tillë, ndërsa në sallë mungonte edhe njëri prej të pandehurve. Prokurori Pirro Sota paraqiti akuzën për të gjithë të pandehurit, mes të cilëve edhe zgjedhës të Ruzhdies, të cilët akuzohen për kundravajtje penale të votimit më shumë se njëherë. Ndërkohë akuzat ndaj komisionerëve bazohen kryesisht në Kodin Penal dhe atë zgjedhor. Të akuzuarit janë Bujar Kararaj, kryetar i komisionit, Pëllumb Myrtaj, zëvendëskryetar dhe anëtarët e komisionit, Robert Myftaraj, Veledin Myftaraj dhe Shezai Kararaj. Komisionerët e Ruzhdies akuzohen për shpërdorim të detyrës. Në 28 qershor braktisja e detyrës nga komisionerët e majtë solli si rezultat zhvillimin e zgjedhjeve në kundërshtim me kodin zgjedhor dhe me shkelje të paprecedenta procedurale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›