E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokle: “Nuk shkojmë në Parlament, pa u hapur kutitë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Namik Dokle, deputeti i Partisë Socialiste, në fjalën e tij gjatë protestës përpara Kryeministrisë, ka kërkuar, si deputeti më i vjetër i kësaj partie, që të hapen kutitë e votimit. Dokle ka përsëritur edhe një herë se pa hapjen e kutive nuk ka kthim në Parlament. “Ne nuk shkojmë në Parlament pa u plotësuar kushtet e shqiptarëve, nuk shkojmë në Parlament pa u hapur kutitë e vjedhura, ne nuk shkojmë në Parlament përderisa deputetët duken si kuaj të vjedhur. Qëndroni me ne se edhe ne do të qëndrojmë me ju”, - ka theksuar Dokle. Ai shtoi se protesta e opozitës ka një qëllim të përbashkët: mbrojtjen e Shqipërisë demokratike dhe evropiane! Ta mbrojmë nga hajdutët e votës dhe të tokës! Nga dhunuesit e kutisë dhe grabitësit e Shqipërisë! Nga manipulatorët e shtetit dhe shitësit e detit!” - pohoi ai. Sipas tij, një milion shqiptarë thërrasin sot: Hapni kutitë! Ku është vota ime? Dua ta shoh votën time!. “Por, Kuçedra Qeveri ka mbyllur dyert e transparencës si Ciklopi shpellën e vet! Dhe ne u themi sot qeveritarëve të Kuçedrës – Qeveri: Hapni kutitë! Tregoni të vërtetën!”, - shtoi ai. Ligjvënësi socialist i disa legjislaturave me radhë pohoi se Shqipërinë kurrë smund ta ktheni në shpellën e Ciklopit, edhe pse qeveritarët veprojnë si shpellarë dhe jo si qytetarë dhe qeveritarë të një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe aspirant i BE-së.
Dokle shtoi se “Sali Bërisha na tregon se paska ikur koha e Gavroshëve. Por ne i themi atij se në këtë botë e në këtë vend do të lindin Gavroshët për sa kohë që qeverisin Zhaverët!”

Ky lajm është publikuar: 21/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›