Ekstradohet vrasësi i 15-vjeçarit
TIRANE - Ekstradohet nga Italia Gëzim Ndreu, i cili një muaj më parë u dërgua në gjykatë i pandehur për "vrasje me paramendim" në qershor të vitit 1997. I akuzuar për vrasjen e Besian Breçanit, Ndreu është identifikuar si autor i ngjarjes nëpërmjet fotografive prej motrës së viktimës. Ndërkohë që dosja hetimore në ngarkim të tij është pezulluar dy herë radhazi në vitin 1997 dhe në vitin 2006 për mos identifikim të autorit dhe aktet janë rikthyer në polici. Sipas Prokurorisë, vrasja ka ndodhur për shkak të grabitjes së një varëseje floriri të të akuzuarit, që kushtonte 60 mijë lekë. Sipas kërkesës për gjykim, vrasja për të cilën akuzohet Gëzim Ndreu ka ndodhur më 4 qershor të vitit 1997 në një lokal lojërash, fare pranë qendrës së Tiranës. Sipas organit të akuzës pak ditë para ngjarjes Ndreu ishte konfliktuar dhe ishte rrahur fizikisht nga një grup prej katër personash, një prej të cilëve edhe viktima Breçani, i cili ishte vetëm 15 vjeç. Pasi janë marrë deklarimet e dëshmitarëve okularë të ngjarjes prokurorisë i është pohuar nga motra e viktimës, se ajo mund ta identifikonte autorin në një fotografi dhe falë saj është verifikuar se autori ishte Gëzim Ndreu. Ai është arrestuar në Firence të Italisë më 23 shtator të vitit 2009 dhe dy ditë më parë është ekstraduar dhe i është dorëzuar Drejtorisë së Burgjeve.