E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, ndahet dosja e dy mjekëve



TIRANE - Mjeku gjinekolog Petrit Rexhepi dhe infermierja Nilka Perhati, të akuzuar për korrupsion pasiv do të gjykohen nga gjyqtari Arjan Aliaj. Dosja në ngarkim të tyre është hedhur në short tre ditë më parë, pasi u nda nga ajo e katër kolegëve të tjerë, për të cilën u aplikuan procedurat e gjykimit të shkurtuar në këtë proces. Kjo dosje tashmë ndodhet në fazën e pretencës së prokurorisë. Kurse çështja për Rexhepin dhe Perhatin u nda për t'u shqyrtuar me procedura normale gjykimi. Pasi ka marrë dosjen në dorë gjyqtari Aliaj ka caktuar që seanca e parë e kësaj çështjeje të zhvillohet në fillim të muajit prill. Gjashtë bluzat e bardha të kryeqytetit: Dritan Xhangolli, Hyre Reçi (Dervishi), Lefter Mano, Nilke Perhati, Petrit Rexhepi dhe Renata Turhani, mjekë dhe infermiere të maternitetit "Koço Gliozheni" u morën në përgjegjësi penale në verë të vitit të kaluar të akuzuar për korrupsion pasiv, ndërsa hetimi për ta kishte filluar që nga muaji shkurt i vitit 2009. Tre mjekët dhe tri infermieret akuzohen se në dy raste kanë marrë ryshfet nga qytetarë të ndryshëm që paraqiteshin me bashkëshortet shtatzëna në maternitet. Më 20 shkurt të vitit të kaluar një qytetar me iniciale N.S. ka bërë denoncim në polici, pasi kishte dërguar bashkëshorten shtatzënë në maternitet. Sipas tij mjeku Rexhepi, i ka pohuar atij se gruaja kishte komplikacione, për të cilat duhej ndërhyrje me operacion. Pas operacionit, infermierja Reçi ka takuar të shoqin e gruas shtatzënë dhe i ka thënë "duhet t'i japësh doktorit 70 mijë lekë të reja". Ndërkohë më 28 korrik 2009 një tjetër qytetar ka bërë denoncim në polici për të njëjtët mjekë. Reçi i kishte kërkuar atij 4 mijë lekë të reja dhe pas i ka kërkuar 150 mijë lekë për mjekun Rexhepi dhe 50 mijë lekë të vjetra për një tjetër mjek.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›