Dokle kërkon mbështetjen e votuesve
06/02/2005 Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Namik Dokle, ka marrë pjesë dje në mbledhjen e Komitetit Drejtues të rrethit të Korçës, ku u miratua programi i veprimtarisë politike deri në zgjedhjet e përgjithshme. "Ajo që më shqetëson është se si do të dalim nga letrat e t'i futemi punës konkrete. Vetëm kështu mund të qartësojmë akoma më tej idetë tona mbi atë se çfarë duam të arrijmë në këto zgjedhje", tha Dokle. Gjatë këtyre 8 vjetëve, sipas zv.kryeministrit, PS ka zbatuar atë parullë që premtoi në fillim pra, "ndërtimin e një jete normale në shtetin shqiptar. Përpara kësaj periudhe, Shqipëria ishte në një rrugë anormale e cila përfundoi në vitin 1997 me luftën civile. Ky normalitet duket në drejtimin dhe funksionimin e strukturave të shtetit shqiptar". Që të mund të ruhet ky normalitet, Dokle u ka bërë thirrje të gjithëve për të marrë pjesë në votime, si të vetmen mundësi për të vazhduar përpara.