E Hënë, 2 Nëntor 2026

Toro, vë në dyshim metodikën e çmimeve

06/02/2005  Agim Toro, anëtar i Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, është shprehur dje në një prononcim për "Metropol", se është pro metodikës së miratuar për çmimet, për sa i përket anës së formulimit të saj. Ndërsa për sa i përket zbatimit në praktikë, Toro ka hedhur ktitikat e para. Sipas tij, është i paqartë fakti se nga do të vijnë të dhënat mbi fitimin që sjellë një tokë bujqësore. Sipas tij, ekspertët në komitetin shtetëror kanë paraqitur të dhëna eksperimentale, mbi fitimin neto që sjell një njësi tokë bujqësore. Por, Toro shprehet se të dhënat eksperimentale nuk mund të cilësohen reale. Ndaj, ai ka kërkuar që për përcaktimin e fitimit neto, duhet të merren parasysh statistikat e Ministrisë së Bujqësisë. Në analizën e bërë, Toro shprehet se fitimi, që dal nga të dhënat e Ministrisë janë më të larta se në të dhënat e ekspertëve. Gjithashtu, Toro tërheq vëmendjen se nuk është marrë parasysh as prodhimi blegtoral në Shqipëri. Fakti që në Shqipëri nuk ka një treg të njohur shitblerjesh, duket se ka sjellë pengesa të tjera në Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kjo për vetë faktin se në zyrat e regjistrimit të pasurive, apo në institucionet përkatëse, që merren me studimin e tregut nuk kanë vlerat reale. Shkak për këtë është bërë fakti se si shitësit, ashtu dhe blerësit, tentojnë që të ulin vlerën e shitjes së një malli, për të shmangur sa më shumë të jetë e mundur taksat. Këtë fakt, Toro e ka theksuar në përcaktimin e çmimit për trojet. Sipas tij, shmangia e çmimeve të regjistruara në zyrat e hipotekës është për shkak të çmimeve të rreme që deklarohen në të. Ndaj dhe komiteti i pronave ka marrë për bazë vetëm çmimet që dalin nga shitblerjet në agjencitë private.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›