E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ngricat “ngrijnë” biznesin, tregëtarët flakin prodhimet

06/02/2005  Moti i keq, dështon shpërndarja e ndihmave në Kukës

KUKES - Moti i keq, i shoqëruar me temperatura tejet të ulëta, ka dëmtuar dukshëm biznesin e vogël në Kukës. Tregtarë në tregun e lirë të qytetit janë detyruar të hedhin dhjetëra kuintal mandarina, portokalle, kivi, patate etj., të prishura për shkak të ngricave. Përveç dëmit ekonomik të këtyre tregtarëve, vihet re mosfurnizimi me këto artikuj nga rreziku i prishjes nga të ftohtit, kështu që brenda disa ditëve me këto kushte të motit këto artikuj do t’i mungojnë tregut dhe konsumatorit kuksianë.

”Duhet të ndezim zjarr brenda në lokal, pasi gjatë natës edhe brenda dyqaneve temperaturat shënojnë disa gradë nën zero. Shumica e tregtarëve nuk kanë mundësi ngrohjeje për magazinat dhe lokalet, kështu që nuk mund t’i tërheqim më nga tregu i Prizrenit për t’i sjellë në Kukës nga rreziku i prishjes”, thonë disa tregtarë.

Rrugët

Ndërkohë erërat e ftohta dhe shumë të fuqishme kanë vështirësuar shumë punën e drejtorive të mirëmbajtjes së rrugëve deri në kufijtë e pamundësisë. Pirgjet e dëborës deri në disa metra të krijuara nga erërat e forta kanë nxjerrë pothuajse jashtë loje mundin dhe punën e vazhdueshme të dhjetë borëpastrueseve në akset rrugore që lidhin Kukësin me Qafën e Malit, Kukësin me Kosovën dhe me komunat e pellgut, pasi me komunat e tjera as që bëhet fjalë prej gati 12 ditësh.

Burimet e shtabit të emergjencës nënvizuan dje, se erërat kanë formuar pirgje dëbore që kanë trashësi deri në 5 m në disa akse rrugore si Kukës-Morin, Kukës–Bicaj, Kukës-Has, duke i bërë të pakalueshme. Megjithë punën e vazhdueshme të borëpastruesve, të cilat punojnë për t’i mbajtur të zhbllokuara rrugët, gjatë natës erërat i bëjnë të pakalueshëm.

Ndihmat

Ndërkaq një pjesë e ndihmave, e parashikuar të shpërndahej në rrugë ajrore për komunat e thella të izoluara që me rënien e dëborës më 23 janar, ka dështuar nga moti i papërshtatshëm për fluturimin dhe uljen e helikopterëve.

Përreth 50 mijë banorë të komunave Bushtricë, Arrën, Kalis,

Shishtavec, Grykë e Çajës, Ujmisht, Topojan etj., e vetmja shpresë mbetet zbutja e motit dhe shkrirja e dëborës.

Të dhëna

Aksi rrugor Kukës-Morin, i pakalueshëm

Aksi rrugor Kukës–Bicaj, i pakalueshëm

Aksi rrugor Kukës-Has, i pakalueshëm

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›