Dokle takon ministrin belg të Mbrojtjes
04/03/2005 Zëvendëskryeministri Namik Dokle ka takuar dje ministrin e Mbrojtjes së Belgjikës, Andre Flahaut. Në takim, dy zyrtarët e lartë kanë vënë theksin në intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjatë bisedimeve, Dokle është shprehur se "Qeveria shqiptare ka si prioritet parësor vendosjen e marrëdhënieve me të gjitha vendet e Aleancës Euroatlantike, duke falenderuar në veçanti Qeverinë belge për kontributin që ka dhënë për vendin tonë, sidomos në mbështetje të projekteve për grumbullimin dhe shkatërrimin e armëve në duart e popullsisë". Në qendër të bisedimeve ka qenë dhe situata në rajon, ku të dyja palët kanë vlerësuar progresin e padiskutueshëm në përmirësimin e sigurisë rajonale. Sipas Dokles, "Shqipëria, nga konsumatore e sigurisë është bërë garant i sigurisë në rajon". Ministri belg, Flahaut, ka përgëzuar qeverinë shqiptare për përpjekjet që ajo po bën në arritjen e standardeve përmes zbatimit të reformave për të arritur objektivin strategjik të saj si anëtarësimin në BE dhe NATO.