E Diel, 1 Nëntor 2026

Doktor Barbullushi: Këshillat për veshka të shëndosha

SHKRUAN: Jonida Tashi 10-03-2011 11:11

Një organ që nuk “ankohet” kurrë, edhe kur vuan apo ka filluar të humbasë funksionin e tij. Mbase kjo është një nga arsyet që i lëmë pas dore, ndërkohë që mjaftojnë vetëm disa rregulla të thjeshta për “mirëmbajtjen e tij”. Në Shqipëri jemi ende të pandërgjegjshëm për këtë gjë. Kështu nis mesazhi i profesor-doktorit të njohur në fushën e nefrologjisë, Myftar Barbullushi, në Ditën Botërore të Nefrologjisë. “Është kjo arsyeja pse u ula të shkruaj këta rreshta, duke marrë shkas nga Dita Botërore e Nefrologjisë, e pranishme këto ditë në të gjitha gazetat, revistat dhe kanalet televizive. Përtej kësaj, ndoshta edhe në botë, ndjeshmëria dhe vëmendja ndaj këtij organi të neglizhuar ka filluar të jetë e pranishme vetëm vitet e fundit. Dhe a e dini pse? Sepse kurimi i sëmundjeve të veshkave me veshkë artificiale (dializë) apo natyrale (transplant) ka arritur të marre 10% të buxhetit të shëndetësisë, duke i bërë shoqëritë Perëndimore të mendojnë shumë për sensibilizimin dhe parandalimin e sëmundjeve të këtij organi që ‘vret’ heshtazi jo vetëm shëndetin por edhe ekonominë”, - shprehet doktor Barbullushi. Sipas tij, vetëm duke parë raportin e njeriut me tokën mund të kuptosh shumë gjëra mbi veshkat. “75% e trupit tonë është ujë, e megjithatë ne arrijmë të jetojmë në një tokë të thatë pa pasur probleme. Në tokë organizmi i njeriut duhet të dijë të ruajë jo vetëm ujin, por edhe kripërat; vetëm veshkat dinë ta bëjnë këtë. Në sajë të tyre, mjafton të pimë vetëm 2-3 litra ujë në ditë dhe ne jetojmë pa probleme. Të gjitha qelizat e trupit tonë mjaftohen me këtë sasi uji për të kryer funksionet e tyre. Si arrin ky ujë që ne pimë, të shpërndahet në të gjithë trupin duke i siguruar secilës qelizë sasinë e duhur të ujit dhe kripërave që i nevojiten? Kush i di përmbajtjen dhe nevojat e tyre? Kush e ruan këtë ekuilibër gati hyjnor? Vetëm veshka”, - shpjegon doktor Barbullushi. Më tej mjeku nefrolog pohon se përveçse pimë, ne hamë çfarë duam dhe përsëri është veshka që di të ruajë në çdo sekondë një ekuilibër perfekt midis asaj që na nevojitet dhe asaj që duhet eliminuar. Këto janë arsyet pse veshkat konsiderohen filtri i vërtetë i trupit të njeriut, që në fakt, sipas tij, funksioni filtrues nuk është i vetmi rol që ato kryejnë. Prof. dr. Barbullushi shpjegon se kohët moderne zbuluan që veshkat kanë një sërë funksionesh të tjera. Pikërisht roli i veshkës në ekuilibrin e lëngjeve, filtrimin e substancave toksike, në tensionin e gjakut, në anemi dhe në problemet e kockave dhe për më tepër mënyra e heshtur, e zgjuar me të cilën ajo i realizon dhe koordinon këto funksione do të identifikohej në mënyrë shumë filozofike nga Smith që 100 vjet më parë: “Veshka është organi që në vetvete përmban stofin e filozofisë”. Ndaj këshilla numër një e doktor Barbullushit është: “Pak kripë, shumë ujë dhe tensionin e kontrolluar për të pasur veshka gjithnjë të shëndosha”.

Funksionet e veshkave

Prodhojnë hormone që rregullojnë tensionin dhe volumin e gjakut tuaj. Është kjo arsyeja që çdo individ me tension të lartë të gjakut duhet së pari të konsultohet me mjekun e veshkave. Sot ka bindje absolute në qarqet shkencore se veshkat janë përgjegjëse për tensionin e lartë të gjakut edhe atëherë kur nuk e gjejmë dot shkakun e vërtetë.

Prodhojnë një hormon që quhet eritropoetinë, e cila stimulon palcën e kockave për të prodhuar rruazat e kuqe të gjakut, të cilat transportojnë oksigjenin nëpër trupin tuaj. Një individ që ka anemi duhet të vizitohet patjetër te mjeku i veshkave.

Aktivizojnë vitaminën D, e cila është e rëndësishme për të pasur kocka të shëndetshme. Të sëmurët me veshka kanë probleme të shprehura kockore.

5 këshillat

Pi lëngje dhe ujë mjaftueshëm

Ushqehu shëndetshëm

Mos pi cigare

Mos abuzo me alkool

Mbaje nën kontroll tensionin e gjakut

Ruaj peshën tënde

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›