E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, 1300 përfituesit që do të kompensohen

SHKRUAN: Jonida Tashi 10-03-2011 11:09

Vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në numrin përkatës të llogarisë bankare të depozituar në AKKP, duke filluar nga data dita e sotme

Përfundon procesi i shqyrtimit të kërkesave të subjekteve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informate, që përfitojnë këstin e dytë të kompensimit apo shpërblimit. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e cila njofton të gjithë subjektet e interesuar se ky këst i dytë është në masën prej 15,05% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. “Ky proces, ashtu sikurse edhe shpërndarja e këstit të parë prej 21,89% u bazua në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 ‘Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale’, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatës të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar”, - thuhet në njoftimin për shtyp të AKKP-së. Në përfundim të këtij procesi, janë shqyrtuar 312 kërkesa të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kësti i dytë i kompensimit është në shumën prej 749 028 316 (shtatëqind e dyzet e nëntë milionë e njëzet e tetëmijë e treqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë, nga e cila përfitojnë një numër prej rreth 1300 pronarë apo bashkëpronarë. Vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në numrin përkatës të llogarisë bankare të depozituar në AKKP, duke filluar nga data 10.03.2011. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave fton të gjithë subjektet e interesuara, emrat e të cilëve rezultojnë në listat përfituese të shpronësimit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, të vijojnë të paraqiten në çdo kohë pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për tërheqjen e vlerës së kompensimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›