E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, 408 emrat që do të dëmshpërblehen

SHKRUAN: Jonida Tashi 10-03-2011 11:10

Kryeministri Berisha kërkon nga Ministria e Drejtësisë të përparësojë dëmshpërblimin e ish të dënuarve që janë mbi moshën 75 vjeç, si dhe të rishihet përllogaritja e dëmshpërblimit për këtë kategori

Qeveria miraton dëmshpërblimin e 408 ish të dënuarve politikë të regjimit komunist.

Vendimi përcakton masën e dëmshpërblimit për 408 ish të dënuar politikë të regjimit komunist, kërkesat e të cilëve kanë përmbushur kriteret ligjore dhe që kanë vuajtur dënimin e kryer me burg, nga data 30.11.1944, deri më 01.10.1991, si dhe për familjarët e të dënuarve me dënim kapital (të pushkatuar apo të ekzekutuar). Shuma e masave financiare, e përllogaritur sipas këtij vendimi, në total është 1 526 724 105 lekë. Sipas vendimit të djeshëm të qeverisë, masa e dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë dhe familjarët e të dënuarve, me dënim kapital, do të bëhet me këste, sipas kritereve e kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish - të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar. Ndërsa shuma e llogaritur do të transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues do të bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë, të përzgjedhura, sipas nenit 33, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, të ndryshuar. Përveç miratimit të vendimit për dëmshpërblimin e 408 të përndjekurve, kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Drejtësisë të përparësojë dëmshpërblimin e ish të dënuarve që janë mbi moshën 75 vjeç, si dhe të rishihet përllogaritja e dëmshpërblimit për këtë kategori, duke i vlerësuar këto si kërkesa të drejta të tyre. “Zoti ministër i Drejtësisë, këtë sistem shpërndarjeje që kemi, e kemi të drejtë, por është e domosdoshme që ish të dënuarit në moshën mbi 75 vjeç t’i përparësojmë në mënyrë absolute. Personat mbi këtë moshë mund të përfitojnë të parët, por edhe mund t’u rritet kësti, domethënë mund të bëhet një përllogaritje e veçantë mbi moshën 75 vjeç. Kam edhe kërkesa prej tyre dhe këto kërkesa janë logjike, qëndrojnë plotësisht dhe ju e keni marrë porosinë. Kështu që përveç përparësimit që mund t’u bëjmë në renditje, mund t’u bëjmë edhe një përparësim në sasinë që marrin. Nuk besoj të ketë kundërshtime nga të përndjekurit, sepse vërtet këta janë ata që duhet të përfitojnë të parët”, - u shpreh kryeministri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›