Punësimi sezonal në Itali, sot hapen aplikimet
Artan CENA
ROMË - Duke nisur nga sot në orën 08:00 të mëngjesit hapet aplikimi për 80 mijë ekstrakomunitarë, mes tyre dhe shqiptarë, që duan të punësohen për këtë sezon në Itali. Ata do të aplikojnë me anë të “Clikc day”. Aplikimet do të bëhen me anë të internetit ose tek agjencitë që janë autorizuar nga shteti italian. Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Italisë. Siç bëhet e ditur, janë gati 30 mijë ndërmarrje italiane që kërkojnë punonjës dhe më të favorizuar janë shqiptarët, indianët, marokenët, tunizianët, maqedonasit etj. Ndërkaq shqiptarët mësohet se zënë vendin e parë të punonjësve që do të përfitojnë, me 17.2 për qind, të ndjekur nga indianët, me 13.8 dhe marokenët, me 12.6, për qind. Meqenëse procedura parashikon disa hallka të mëtejshme në institucione të ndryshme, Konfederata e Bujqësisë bën të ditur se vonesat e mundshme vënë në rrezik vjeljen e disa prodhimeve si luleshtrydhet në zonën e Veronës, mollëve në Trentino apo rrushit në Piemonte.
Dekreti
Dekreti për punësimin sezonal gjatë vitit 2010 është nënshkruar disa ditë më parë, ndërkohë që sot hapet rruga e aplikimeve. Por, përveç 80 mijë punonjësve, numri do të shtohet dhe me 4 mijë persona, duke përfshirë edhe profesionistë, sipërmarrës, artistë dhe artizanët dhe 2 mijë të tjerë të trajnuar jashtë vendit. Dekreti i fluksit 2010 tani pritet që të publikohet në Gazetën Zyrtare me qëllim që të hyjë në fuqi. 80 mijë do të jetë numri i punonjësve sezonalë nga Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kroacia, India, Pakistani, Bangladeshi, Sri Lanka, Ukraina, Tunizia, Shqipëria, Maroku, Moldavia dhe Egjipti. Risi për këtë vit është kërkesa nga artizanët e vegjël. Dekreti rezervon 4 mijë vende pune për sipërmarrësit e angazhuar në interes për Italinë, si përkthyes të pavarur, partnerët dhe drejtorët, artistët me famë ndërkombëtare dhe të profesionistë të kualifikuar. Kusht është që punonjësit të jenë jo nga vende anëtare të BE-së që kontribuojnë financiarisht për të investimeve të bëra.
Aplikimet
Aplikimi nis me procesin e regjistrimit. Punëdhënësi duhet të lidhet me sajtin e Ministrisë së Brendshme italiane: www.interno.it, të hyjë në zonën/fushën e posaçme për flukset sezonale 2010 dhe të regjistrohet, duke futur emër, mbiemër, datëlindjen, një adresë të postës elektronike dhe një fjalëkalim hyrjeje. Kështu, do të marrë një e-mail me udhëzimet për të konfirmuar regjistrimin dhe për të aktivizuar të drejtën e tij të përdorimit. Më tej kalohet në krijimin e moduleve. Duke futur adresën e e-mail-it dhe fjalëkalimin, punëdhënësi i regjistruar mund të hyjë në zonën/fushën e dedikuar në www.interno.it dhe të krijojë modulet për kërkesën e tij për punësim. Për çdo modul duhen futur të dhënat vetjake dhe të atij punëtori stinor, të cilin ai dëshiron ta thërrasë në Itali. Plotësimi i mirëfilltë i moduleve do të bëhet në një moment të dytë. Hapi i tretë lidhet me domosdoshmërinë e shkarkimit dhe të instalimit në kompjuterin personal të softuerit të Sportelit Unik për Imigrimin (SUI). Në atë faqe gjenden lidhjet për të shkarkuar versionet e SUI-t për Windows, Linux dhe Os, si dhe manualet e udhëzimeve.
Në kërkim, pranga tetë personave
DURRËS - Tetë persona janë vënë në pranga nga Policia e Durrësit pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Burime zyrtare nga uniformat blu të qytetit bregdetar kanë bërë të ditur se në pranga është vënë Shkëlqim Keçi, 36 vjeç, banues në Thumanë, i cili duhet të shlyejë gjobën e konvertuar nga 53 ditë burg për veprën penale të kontrabandës me mallra. Po ashtu, gjatë operacioneve ndaj personave të kërkuar është kapur dhe maqedonasi Bukurim Zekjiroski, 30 vjeç, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës për “vjedhje”. I arrestuar është dhe Fejzi Shemollari, 26 vjeç, banues në Durrës është dënuar me 4 muaj burg për veprën penale të “dezertimit”, ashtu si edhe 22-vjeçari Fitim Dumani, banues në Durrës, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale. Është arrestuar edhe Lefter Hoxha, 38 vjeç, banues në Durrës, i cili është dënuar me 40 ditë burg pasi nuk u ka dhënë fëmijëve para për jetesë. Një tjetër i arrestuar mësohet të jetë edhe Ernest Gila, 21 vjeç, banues në Durrës, person i cili dyshohet se në bashkëpunim me dy të tjerë (të arrestuar) ka kryer një vjedhje. Për Lulëzim Metën, 39 vjeç, banues në Nikël të Krujës, ekzistojnë edhe 70 ditë burg për t’u kryer për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Në pranga është vënë dhe një 42-vjeçar nga Kukësi, i cili ishte shpallur në kërkim për vjedhje. Arben Sokoli dyshohet se ka vjedhur një dyqan te Shkëmbi i Kavajës. Ndaj të gjithë personave të arrestuar, policia tha se i ka dërguar dosjet në Prokurorinë e Durrësit.
21 Prill 2010